“Xhiro boshe”, shumë presion dhe zero gola; pse Vlahovic nuk shënon më për Juventusin

24 Shtator 2024
8:18
Alfred Lleshi
back button

Pas krizës në sulmin e Juventusit janë të gjitha vështirësitë e Vlahovic. Sulmuesi serb ka arritur të shënojë vetëm në një nga 6 ndeshjet zyrtare të luajtura deri më tani nga skuadra e Thiago Motta. Fjala është për dopietën në fushën e Veronës, e cila duket shumë pak për ta lehtësuar presionin mbi numrin 9 të Juventusit. Ai gjithashtu duhet të takohet së shpejti me klubin për të diskutuar mundësinë e rinovimit të kontratës.

Zëvendësimi i Vlahovic në pjesën e parë të Juventus-Napoli e hapi çështjen. Linja mbrojtëse e projektuar nga Conte ishte në gjendje ta kontrollonte shumë lehtë qendërsulmuesin serb, i cili ishte shumë statik dhe i servirur dobët. Manovra sulmuese e Juves, sigurisht u përmirësua në pjesën e dytë me përfshirjen e Weah, i cili arriti të ishte më pak i kontrollueshëm dhe mbi të gjitha të hapte hapësira për futjet e gjysmësulmuesve bardhezinj. Për serbin, megjithatë, ishte një tjetër performancë e pamjaftueshme.

Vlahovic rëndon në llogaritë e Juventusit për shkak të dyfishimit të tavanit maksimal të pagave, që klubi ka vendosur. Kontrata e tij, me pagën që do të rritet këtë sezon, arrin në 12 milionë euro. Një “peshë” që e vendos pashmangshmërisht në qendër të vëmendjes lojtarin më të paguar në Serie A, pa asnjë mundësi “xhirosh boshe”. Për momentin, megjithatë, problemet në fushë kompensohen nga qëndrimi i lojtarit, i përshkruar nga Thiago Motta si një lider pozitiv, si brenda dhe jashtë fushës.

Trajneri foli me Vlahovic ditët e fundit në margjina të një seance stërvitore, duke e ftuar atë të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë punën me përkushtim maksimal. Sulmuesi serb në këtë fazë po përpiqet vërtet të bëjë maksimumin për t’u përshtatur me kërkesat e trajnerit të ri dhe për të gjetur ekuilibrin në menaxhimin e dy fazave. Dusan stërvitet edhe në ditët e pushimit, prej disa muajsh nuk i ka lejuar vetes ndonjë shpërqendrim, vetëm që të jetë vendimtar në ndeshje.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit