Lamine Yamal, lojtari më i mirë i Spanjë-Francë 2-1 dhe shënuesi i golit të bukur barazues për “Furitë e Kuqe”, dha një intervistë të shkurtër për mikrofonat e UEFA-s, menjëherë pas gjysmëfinales:
“Gjëja më e rëndësishme është finalja, tani synojmë titullin. Ishte një ndeshje e vështirë, u përpoqa të shënoja, ia dola dhe më pas shkoi mirë. Tani synimi im është ta marr trofeun në shtëpi”.
Golashënuesi më i ri në historinë e Europianit
6 ndeshje për Spanjën në “Euro 2024” dhe dy gola të saj mbajnë emrin e Lamine Yamal. Talenti i Barcelonës ka luajtur në të gjashtë sfidat e deritanishme.
Nëse kundër Kroacisë e vendosi veten në krye të lojtarëve më të rinj, që kanë luajtur në një Europian, duke lënë pas polakun Kazper Kozlowski, “vepra e artit” ndaj Francës e bën atë golashënuesin më të ri.
Në moshën 16 vjeç e 11 muaj, me ditëlindjen e tij këtë të shtunë, numri 19 i Spanjës realizoi një super gol. Lamine Yamal na solli në mendje golin e shënuar nga zvicerani Johan Vonlanthen ndaj Francës në moshën 18 vjeç e 141 ditë.
Kjo ndodhi më 21 qershor 2004, në Coimbra. Zvicerani e kaloi “piketën” që Wayne Rooney kishte vendosur katër ditë më parë. Tani, të dy janë pas një lojtari me moshë të paimagjinueshme për një kompeticion të nivelit kaq të lartë.
Dy emra shfaqen në radarin e Lamine Yamal. Jude Bellingham ka mbetur pas sot. Lojtari i Real Madridit ishte më i riu që luajti në një ndeshje me eliminim direkt të Europianit. Ndodhi në moshën 18 vjeç e 4 ditë, më 3 korrik 2020, kur Anglia mundi Ukrainën 4-0 në Romë, në çerekfinale.
Renato Sanches (18 vjeç e 328 ditë) është “foshnja” e finales së Europianit. Portugezi e nisi titullar më 10 korrik 2016, kundër francezëve në shtëpi.
Italiani Pietro Anastasi (20 vjeç e 64 ditë) është golashënuesi më i ri në një finale Europiani. Goli i tij e dërgoi rezultatin në 2-0, me të cilin Italia fitoi “Euro 1968”, pasi kaloi gjysmëfinalen kundër Çekosllovakisë.