Ylli i Bayern-it drejt largimit, pesë skuadra nisin garën

23 Qershor 2024
9:39
Denis Hakanaj
back button

Dukej utopike edhe ta mendoje, por hipoteza e largimit të Joshua Kimmich nga Bayern Munich mund të bëhet realitet, këtë vit ose vitin e ardhshëm.

Kontrata e mbrojtësit të djathtë 29-vjeçar do të skadojë më 30 qershor 2025, por për momentin nuk ka as hije rinovimi dhe lojtari është i fokusuar vetëm te kombëtarja gjermane dhe europiani.

Bisedimet mes Joshua Kimmich dhe Bayern për të ardhmen e lojtarit të lindur në vitin 1995 nuk priten para fundit të Euro 2024, por në këtë pikë, siç raportohet nga Sky Sport Deutschland, një zgjatje e kontratës ka shumë pak gjasa të ndodhë.

Sipas drejtuesve të klubit bavarez, lojtari mund të largohet që në verë për të mos e humbur me kosto zero verën e ardhshme.

Megjithatë, 29-vjeçari, siç raportohet nga transmetuesi televiziv, është gjithashtu i hapur ndaj idesë për t’u larguar, por nuk nxiton ta bëjë para skadimit të kontratës.

Përkundrazi, ai do të donte të luante sezonin e tij të dhjetë dhe të fundit nën trajnerin e ri Vincent Kompany, në mënyrë që të largohej në 2025 si lojtar i lirë.

Ndërkohë për Kimmich kanë shfaqur interesim disa klube të mëdha europiane, në veçanti pesë superfuqi si Real Madrid, Barcelona, ​​Manchester City, Liverpool dhe Arsenal.

Deri në këtë pikë, mbrojtësi i djathtë gjerman ka 390 paraqitje për Bayern Munich me 42 gola dhe 104 asiste, përveç trofeve të fituara me klubin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit