Me dy gola dhe 3 asistime në 7 ndeshjet e para sezonale me Bayern Munich, mesfushori Serge Gnabry e ka nisur me këmbën e djathtë. Ai po paraqitet mirë pavarësisht konkurrencës së fortë që u krijua me merkaton e verës dhe ardhjes së një trajneri të ri.
Megjithatë, edhe pse merkato e verës ishte e mbyllur, spekulimet për të ardhmen e anësorit gjerman nuk mbaruan asnjëherë. Nga Anglia, ku dhe u përfol se mund të transferohej, pas ndeshjes së humbur ndaj Aston Villas, 29-vjeçari sqaroi gjithçka.
“Nuk doja të largohesha nga Bayern. Kam ende edhe dy vite në kontratën time këtu, ndaj nuk e kam menduar ende të ardhmen time”, u shpreh Gnabry për mediat.
“Për fat të keq, thashethemet për transferime janë të shpeshta në klubin tonë dhe kjo është pak e sikletshme për ne lojtarët. Unë vjet pata një sezon të vështirë, me disa dëmtime, por mendoj se tashmë ato janë lënë pas dhe po paraqitem mirë”, tha Gnabry.