Zanetti jep garanci: Interi është në duar të mira, ëndërroj Champions-in si zv.president

7 Maj 2024
13:15
Alfred Lleshi
back button

Festa për yllin e dytë nuk ka përfunduar ende, por Interi tashmë po shikon nga e ardhmja. Zëvendëspresidenti Javier Zanetti foli për planet e klubit zikaltër, i ftuar në programin e DAZN, “Supertele”: “Titulli? Lumturia e tifozëve mbetet para së gjithash. Inzaghi dhe skuadra e tij bënë një punë të shkëlqyer, të vetëdijshëm se ishin të fortë. Kjo duhej të demonstrohej në fushë, Interi tregoi me personalitet dhe lojë se ishte më i forti”.

A ishte Simone Inzaghi në dyshim, sezonin e kaluar: “Jo, jo nga ana jonë. Sidoqoftë, është e vërtetë që ka pasur një moment vështirësie jo vetëm për trajnerin, por edhe për të gjithë ne që punojmë tek Interi. Rezultatet në Serie A nuk po vinin…

Inzaghi solli idetë, ekipi luajti mirë dhe u argëtua, sepse lojtarët ishin të gjithë në formë të mirë. Trajneri iu dha këtë qetësi dhe vetëdije për të qenë një ekip i fortë. Ai është dikush që punon shumë, djemtë e ndoqën në çdo gjë”.

Thuram dhe Lukaku – “Piero (Ausilio) dhe Baccin, që e kishin ndjekur për një kohë të gjatë, vepruan mjaft mirë. E prisnim pas dëmtimit të gjurit, kishim besim tek ai. Thuram u përshtat menjëherë në Serie A, në parneritet me Lautaron ishte vendimtar.

Askush nuk e konteston aftësinë e Lukakut, u paraqit shumë mirë me ne, fituam një kampionat me Antonio (Conte) në pankinë. Ai vendosi të mos qëndronte, askush nuk e priste, sidomos për sa i përket kohës. Ishte një sfidë e madhe për ne gjetja e alternativave. Në merkato vepruam mirë, u krijua një grup i rëndësishëm nga ana njerëzore”.

A qëndron Lautaro: “Kapiteni është i lumtur, Interi është familja e tij. Ai tregon një ndjenjë të madhe përkatësie, është një kapiten shembullor. Milito më tha që tashmë ishte i fortë në moshën 18-19 vjeç, ndaj e ndoqëm. Më befasoi kur pas një triplete me Racing tha se ishte i kënaqur me golat, por jo me performancën e tij.

Kjo gjë që më bëri të mendoja se po linte të kuptohej për kalimin tek Atletico Madridi, në kontakte me të. Më pas, një ditë, një nga agjentët e tij më telefonoi dhe më tha se kishte probleme me Racing, ndaj negociatat filluan dhe u mbyllën në Argjentinë. Gjëja që më pëlqen më shumë tek ai është se çdo vit përmirësohet. Pjekuria e tij e ka bërë referencë, kështu u bë me meritë kapiten i Interit”.

Disa fjalë për Dimarco: “Fede u rrit me ne, pastaj shkoi diku tjetër dhe tani është rikthyer. Ju mund të shihni klasin që ka, është një tifoz i Interit brenda dhe jashtë fushës”.

Forca e klubit dhe meritat e Zhang: “Kemi nënshkruar me disa lojtarë, varet nga mundësitë e tregut. Për të fituar duhet të ndërtosh edhe një ekip jashtë fushës, klubi duhet të jetë i pranishëm në momente vështirësie. Ne mbështetëm Inzaghi, duke e ndihmuar të gjente zgjidhje për të dalë nga situata e largimeve të rëndësishme verën e kaluar.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Zhang, edhe nëse bëhet i vështirë komunikimi për shkak të diferencës kohore (qesh). Ai u gëzua shumë për titullin, në të njëjtën kohë i vjen keq për faktin që nuk mundi të ishte këtu. Presidenti është i qetë, sepse e sheh se klubi ndodhet në duar të mira. Ne kemi fituar një titull të rëndësishëm, mendoj se kushtet janë për të vazhduar në këtë rrugë. Kemi një grup të fortë lojtarësh nga pikëpamja njerëzore dhe teknike”.

Çfarë lloj merkatoje do të jetë kësaj vere: “Duke parë finalen e Stambollit duket se nuk ka asnjë boshllëk me Manchester City. Realisht, me të ardhurat që ka sot Premier League nuk mund të konkurrojmë, por si sfidë duhet të gjejmë alternativa, të sjellim lojtarë që janë funksionalë, ato që dëshiron trajneri”.

Finalja e Ligës së Kampionëve: “Finalja e Stambollit në vetvete ishte një arritje e madhe. Në prag të saj, të gjithë thoshin se Manchester City do të fitonte lehtë. Pastaj, kur e panë ndeshjen, u penduan, sepse mund të kishim fituar. Pas asaj mbrëmjeje dolëm me vetëdijen për të qenë një skuadër, që mund të luftojë për qëllime të rëndësishme. Ëndrra ime si zv.president i Interit është të ngre trofeun e Ligës së Kampionëve, do të ishte fantastike”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit