Zaniolo trondit Romën dhe Italinë, pas lotëve konfirmohet dëmtimi i rëndë

13 Janar 2020
9:38
Alfred Lleshi
back button

Ata që ishin dëshmitarë të lotëve të Nicolò Zaniolo në kohë reale, me siguri i kishin kryqëzuar edhe gishtat, duke u lutur që dëmtimi i talentit të Romës të mos ishte serioz. Sidoqoftë, nga mjekët vjen lajmi më i keq i mundshëm për Romën. Futbollisti ka këputur ligamentin kruciat (të kryqëzuar) anterior të gjurit të djathtë. Ky është rezultati i testeve mjekësore, të cilave iu nënshtrua Zaniolo në fund të ndeshjes kundër Juventusit. Ish-lojtari i Entella e la fushën me barrelë dhe i përlotur në minutën e 35-të, gjatë pjesës së parë, pas një përplasjeje në dukje të parëndësishme me De Ligt në skajin e zonës së Juventusit.

Serioziteti i dëmtimit të Zaniolo u konfirmua nga Roma, që, gjithashtu, njoftoi datën e operacionit kirurgjikal, të cilit lojtari i saj do të duhet t’i nënshtrohet sot, më 13 janar. Vetë Zaniolo, sapo mësoi për shkallën e dëmtimit, e tregoi përjetimin e tij përmes Instagramit. Me disa fjalë, por fjalë të thjeshta: “Betohem për ty…, do të kthehem më i fortë se më parë”.

Sa i përket kohës së rikuperimit, ajo do të komunikohet me siguri vetëm pas ndërhyrjes kirurgjikale. Në çdo rast, është praktikisht e sigurt që ish-lojtari zikaltër e ka mbyllur sezonin para kohe dhe se, ka shumë të ngjarë, edhe finalet e “Euro 2020” janë në pikëpyetje të madhe. Në këto finale, po të mos ishte dëmtuar mbrëmë, me siguri do të kishte marrë pjesë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit