Zbulohen planet e merkatos së Barcelonës; “refuzohen” Nico Williams dhe një “9” klasik

16 Prill 2025
8:10
Alfred Lleshi
back button

Ndërsa sezoni po ecën me sukses, deri në atë pikë sa në prill tripleta La Liga-Kupa e Mbretit-Champions League është e mundur, planet e Barcelonës për sezonin 2024-2025 po ndryshojnë, ashtu siç ndodhi kur u mendua të hiqej dorë nga Iñigo Martínez për shkak të “fair play financiar”, por tani ai ka rinovuar edhe një sezon tjetër.

Nëse deri para pak kohësh ardhja e një sulmuesi ishte prioritet për të pasuar Lewandowskin, tani ideja është të mos afrohet një “9” i mirëfilltë. Burime nga klubi blaugrana kanë shpjeguar se me Ferran Torres dhe Dani Olmo është më se e mjaftueshme. Po flasim për “9 fals”, sepse njëri është mesfushor ofensiv dhe tjetri është anësor.

Prioritet, verën e kaluar ishte blerja e Nico Williams. Tani në klub nuk e kanë më këtë ide, konsiderojnë se koha për ta afruar anësorin e Athletic ka kaluar, se nuk do t’i paguajnë 60 milionë eurot e klauzolës së tij të lirimit dhe se me anësorët e majtë që ndodhen në skuadrën aktuale është më se mjaftueshëm.

Ideja, sipas të njëjtave burime nga klubi, është të afrojnë një mesfushor dhe një mbrojtës. Në parim një mbrojtës i djathtë, por mund të jetë edhe një qendërmbrojtës, në varësi nëse do të ketë ndonjë shitje.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit