Në mikrofonët e “Sky Sport”, Walter Zenga foli për momentin aktual të Juventusit, me skuadrën e Thiago Motta që ka një seri barazimesh, gjë që mund t’ia ketë komplikuar rrugëtimin në kampionat. Ky është mendimi i tij, duke nisur nga rotacionet e shumta të kryera nga trajneri bardhezi në formacion:
“Nëse trajneri beson në atë që bën, sigurisht që mund të funksionojë. Ai i ndryshon edhe portierët, sepse Di Gregorio dhe Perin janë të dy të fortë. Problemi është që, nëse humbet një lider si Bremer, duhet të kesh një zëvendësues adekuat. Pastaj, 3 blerjet e mëdha të verës nuk kanë garantuar as rendiment dhe as cilësi.
Më pas, nuk ke një zëvendësues për Vlahovic, sepse Milik është jashtë që në fillim të sezonit. Gjëja pozitive janë të rinjtë, në perspektivë këta djem mund të bëhen vërtet të mëdhenj. Nevojitet edhe durim për t’i pritur, por Yildiz, Mbangula dhe Savona janë një pasuri e madhe. Sezonin e kaluar, Juventusi fitoi Kupën e Italisë dhe u rendit mes 4 ekipeve të para, pra kjo është referenca për këtë sezon”.