Zgjerim kontrate dhe përmirësim page, Barcelona “blindon” medalistin e artë të saj

16 Gusht 2024
9:20
Alfred Lleshi
back button

Barça dëshiron ta përmirësojë kontratën e Fermín López, pra ta zgjasë atë edhe dy vite të tjera. Tani për tani ka kontratë deri në vitin 2027, por klubi katalanas dëshiron ta shtyjë afatin edhe për dy vite të tjera.

Natyrisht, rinovimi nënkupton përmirësim të pagës, sepse vetë futbollisti në fjalë ka treguar potencial, mori medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2024. Fermín mori ftesën e kombëtares spanjolle pas paraqitjeve të jashtëzakonshme në sezonin e tij të parë si lojtar i Barçës, në të cilin shënoi 11 gola.

Takimi mes agjentit të tij Xavier Giménez dhe Deco, i zbuluar nga Carlos Monfort, ishte shumë pozitiv. Klubi shprehu dëshirën e tij për ta përmirësuar pagën e lojtarit të ri, por edhe garantuar bonuse më të mira në varësi të performancës. Klubi blaugrana, gjithashtu synon ta rrisë klauzolën e tij, e cila është 400 milionë euro, diçka që nga ana e lojtarit nuk duket aq e rëndësishme për shkak të shumës së madhe të asaj aktuale.

Marrëveshja nuk pritet të mbyllet këtë muaj, por në shtator. Gjithsesi, harmonia mes palëve është shumë e mirë, aq më tepër pas takimit të fundit. Shumë klube kanë pyetur për Fermin, duke parë performancën e tij të shkëlqyer dhe ditur se lojtari andaluzian ka një pagë të ulët. Megjithatë, futbollisti i talentuar dëshiron të vazhdojë te Barça, pa dyshim.

Fermín tani është me pushime, rikthimi i tij te Barça është planifikuar për më 20 gusht. Pa dyshim, një element i shumëpritur nga Hansi Flick. Djaloshi nga Huelva është një nga lojtarët më të dashur në skuadër për cilësinë, përkushtimin dhe karakterin e dashur. Fermín ishte një “bast” personal i Xavi Hernández, pas sezonit të tij të mrekullueshëm në huazim te Linares. Koha e ka vërtetuar shpejt ish-trajnerin e Barçës, se kishte të drejtë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit