I sapoardhuri i Interit, Piotr Zielinski, foli në faqet e “Gazzetta dello Sport”, në numrin e sotëm. Ky është një fragment nga fjalët e mesfushorit polak: “Inzaghi? Ndikimi ka qenë i shkëlqyer, tashmë flasim shumë bashkë.
Në krahasim me të kaluarën më duhet të punoj ndryshe kur nuk e kemi topin, por këto janë mekanizma që i mëson pak nga pak. Nuk kisha bërë kurrë një përgatitje kaq të vështirë, por është një gjë e mirë. Jam i sigurt se do t’i shoh efektet më vonë”.
Mbi mbërritjen tek Interi: “Ditët e para ishin paksa komplekse, por duhet të them se po bëhet gjithnjë e më mirë. Kisha folur tashmë me Arnautovic dhe ai më tha se do të ndihesha mirë menjëherë. Pse zgjodha Interin? Duke parë cilësinë e lojtarëve të Interit dhe mënyrën se si ata futen në fushë nga Inzaghi, mendova se ishte klubi i duhur. Unë zgjodha projektin”.
Për atë që sjell te zikaltrit: “Cilësi dhe eksperiencë. Dua t’i jap Interit sa më shumë gola dhe asiste. Ne kemi një nga mesfushat më të mira në Europë. Me mua është edhe më e fortë (qesh). Kur u përballa me të si kundërshtar vura re sa intensive dhe e kompletuar ishte mesfusha zikaltër”.
Për objektivat e tij: “Përveç titullit, ëndrra e të gjithëve mund të jetë vetëm Liga e Kampionëve. Nuk ka asgjë më të madhe për një lojtar. Nuk është e pamundur për një ekip të aftë për të arritur në finale dhe që ka kaq shumë cilësi për ta bërë këtë”.