Zyrtare, 17-vjeçari Cubarsi rinovon me Barcelonën. Klauzolë monstruoze në kontratën e re

10 Maj 2024
8:15
Alfred Lleshi
back button

Po, ai është vetëm 17 vjeç, por titullar i Barcelonës. Pau Cubarsí nuk është vetëm një perspektivë për të ardhmen blaugrana, është gjithashtu dhe mbi të gjitha element i besueshëm për të tashmen. Këtë e ka vënë re Xavi, i cili prej disa kohësh ia ka besuar “çelësat” e mbrojtjes. Napoli e vuri re këtë kur u përball me të në 1/8 e Champions League. Edhe vetë Barça e vuri re këtë, duke vendosur t’ia zgjaste kontratën.

Një rinovim që u zyrtarizua në orët e para të pasdites së të enjtes, i kompletuar me klauzolë monstruoze të inkorporuar në kontratën e re, siç është zakon për katalanasit. Kontrata e re e Cubarsit me Barcelonën do të skadojë një vit më vonë se ajo e nënshkruar një vit më parë: nga 30 qershori 2026 më 30 qershor 2027. Klubi Blaugrana është mbrojtur nga surprizat e mundshme, duke pasur parasysh se adoleshenti i talentuar pëlqehet nga gjigantët e Europës.

Pra, Cubarsí do të luajë të paktën edhe tri sezone të plota me fanellën e Barcelonës, ku mbërriti në vitin 2018 nga Girona. Dhe pastaj, siç thamë, është çështja e klauzolës së përfundimit të kontratës. Ashtu si në çdo rinovim të një lojtari të Barcelonës, që respekton veten, në kontratë është përfshirë një shifër shumë e lartë, e madhe, e paçmuar për këdo: 500 milionë euro.

Për ta kuptuar: në kontratën e mëparshme, klauzola e pranishme ishte vetëm rreth 10 milionë. Pika e kthesës në karrierën e Cubarsi ndodhi në janar. Brenda pak ditësh, afër ditëlindjes së tij të 17-të, bëri debutimin e tij fillimisht me fanellën e Barcelonës dhe më pas në La Liga.

Debutimi i tij në Ligën e Kampionëve, megjithatë, ndodhi më 12 mars, gjatë ndeshjes së dytë të 1/8 finale kundër Napolit. Një natë në të cilën tregoi talent të vërtetë, pavarësisht një faulli të mundshëm penalltie ndaj Osimhen, që nuk u akordua nga kryesori. Deri më sot ka 20 paraqitje në të gjitha garat: 15 në La Liga, 2 në Kupën e Mbretit, 3 në Ligën e Kampionëve.

Paraqitjet e Cubarsit me Barcelonën ishin aq bindëse, pavarësisht moshës së tij shumë të re, saqë e shtynë trajnerin e Spanjës, Luis De la Fuente, ta thërriste për miqësoret e marsit. Pau luajti disa minuta si kundër Kolumbisë, ashtu edhe kundër Brazilit. Tani ëndërron të hipë në avionin spanjoll për Kampionatin Evropian.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit