Zyrtare; Barcelona zyrtarizon kalimin e Vidal tek Interi (detajet)

22 Shtator 2020
11:19
Alfred Lleshi
back button

Arturo Vidal e ka përfunduar kohën si lojtar i Barçës dhe tashmë është “martuar” me Interin për dy sezone. Klubi katalanas merr një milion euro për operacionin. Ndërkombëtari kilian kthehet në Serie A, ku luajti katër sezone me Juventusin. “Barça shpreh publikisht mirënjohjen e saj për Vidal, për angazhimin dhe përkushtimin e treguar. I uron atij shumë suksese”, – shkruan klubi blaugrana, duke konfirmuar largimin e lojtarit.

Vidal, 33 vjeç, ka qenë një nga skarcimet e Ronald Koeman për sezonin e ri. Kiliani, të cilit i kishte mbetur ende një vit kontratë në “Camp Nou”, nuk kishte vend në projektin e ri të Barcelonës. Në dy vitet me katalanasit, mesfushori ka luajtur 96 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar edhe 11 gola. Barcelona i pagoi Bayernit 18 milionë euro, plus 3 milionë në formë bonusesh, verën e vitit 2018. Të dielën ai udhëtoi në Milano, i shoqëruar nga e gjithë familja e tij. Një parathënie e zyrtarizimit të tij tek Interi, diçka e vonuar nga largimi i Godín te Cagliari.

Arturo Vidal kthehet në Itali dhe do të jetë nën urdhrat e një të njohuri të tij të vjetër: Antonio Conte. Trajneri në fjalë e drejtoi te Juventusi dhe ka qenë sponsor i fortë i nënshkrimit të tij: “Kam pasur kënaqësinë ta stërvitja atë dhe gjithmonë më ka dhënë gjithçka”. Vidal shquhet për thyerjen e sulmeve të rivalëve dhe rikuperimin e topit. Ai do të sigurojë gola, fizik, energji, muskuj dhe intensitet në formacionin e Interit, që do të luftojë për të fituar titullin në Serie A.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit