Zyrtare!!! Duel britanik më 21 shtator në Wembley për titullin e lënë vakant nga Usyk

27 Qershor 2024
13:00
Telesport
back button

Boksieri Anthony Joshua do të përballet me Daniel Dubois në një përplasje britanikësh në peshën e rëndë, për titullin e kampionit të botës të kategorisë IBF në peshën e rëndë. Sfida do të zhvillohet në “Wembley Stadium” të Londrës, më 21 shtator.

Oleksandr Usyk njoftoi të martën se ai kishte nxjerrë vakant titullin e IBF, pasi nuk mund ta mbrojë dot atë për shkak të revanshit me Tyson Fury. Kjo do të thotë se Joshua mund të rifitojë një nga titujt botërorë që mbante më parë nëse mposht Dubois.

Joshua është rikthyer protagonist për titullin në kategorinë e peshave të rënda me 4 fitore radhazi, pasi pësoi dy humbje njëra pas tjetrës ndaj Usyk. Ukrainasi u bë kampioni i padiskutueshëm i botës pas fitores më 18 maj ndaj Tyson Fury.

34-vjeçari Anthony Joshua (28 fitore e 3 humbje në karrierë), ka qenë dy herë kampion bote në peshën e rëndë. Ndërsa Daniel Dubois (26 vjeç), numëron 26 fitore e dy humbje në karrierë. Ai ka mbajtur dikur një version të “WBA Regular” si dhe mban aktualisht titullin e përkohshëm të IBF.

Ai sfidoi Usyk verëm e kaluar në Poloni, duke bërë një paraqitje të mirë, por më pas u mund me KO në raundin e nëntë. Megjithatë, u rikthye me dy fitore së fundi, ndaj Jarrell Miller në dhjetor dhe Filip Hrgoviç më 1 qershor.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit