Zyrtare!!! Ja data dhe vendi i revanshit mes Usyk dhe Fury, përgatituni për një tjetër spektakël në ring

31 Maj 2024
10:57
Telesport
back button

Revanshi mes boksierit britanik Tyson Fury dhe atij ukrinas Oleksandr Usyk do të zhvillohet të shtunën, më 21 dhjetor, në Riad të Arabisë Saudite. Lajmin e ka zyrtarizuar kryetari i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit të Arabisë Saudite, Turki Alalshikh.

Në duelin e zhvilluar më 18 maj, po në Riad, Usyk doli fitimtar me vendim shumice, duke u bërë kampioni i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë. Tashmë ukrainasi i mban të gjithë titujt e këtij Divizioni.

Ishte publikuar që në fillim të duelit se kontrata mes Fury dhe Usyk përfshinte një klauzolë të revanshit. Duke shkruar në rrjetet sociale të mërkurën, Alalshikh tha: “Revanshi është planifikuar më 21 dhjetor 2024. Bota do të shikojë përsëri një tjetër duel historik. Përkushtimi ynë ndaj tifozëve të boksit vazhdon. Shpresojmë që t’ju pëlqejë”.

Kështu, boksierët do të kenë gati 6 muaj kohë për të përgatitur këtë duel të dytë mes tyre, që pritet të jetë po aq spektakolar sa ai i dy javëve më parë. Fakti që Usyk fitoi me vendikm shumice tregon se sfida ishte mjaft e ekuilibruar.

Që pasi përfundoi dueli Fury deklaroi se do të kërkonte revanshin, duke thënë se ishte i pakënaqur nga vendimi i gjyqtarëve. Edhe Usyk e pranoi sfidën, ndaj tashmë dy boksierët do të kryqëzojnë sërish dorezat në ringun arab.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit