Zyrtare! Roland Garros shtyhet me një javë për shkak të pandemisë

8 Prill 2021
8:22
Telesport
back button

Tashmë është zyrtare. Grand slam i Roland Garros, i planifikuar të nisë më 23 maj, do të fillojë një javë me vonesë, pra më 30 maj (deri më 13 qershor). Lajmin e konfirmuan organizatorët e turneut parizien. Kjo gjë pritej, pasi prej disa ditësh përflitej për një shtyrje të tij.

Franca është në karantinë totale deri në fund të prillit dhe proçesi i vaksinimit po ecën ngadalë, duke bërë që infektimet me Covid-19 të jenë ende të larta. Ndaj dhe u mor ky vendim, për ta shtyrë turneun me një javë, për të parë se cilat do të jenë masat e reja që qeveria franceze do të marrë nga 1 maji.

Objektivi i organizatorëve të Roland Garros është që turneu të zhvillohet me publik, për t’i dhënë më shumë frymëmarrje financiarisht këtij eventi, pas humbjeve kolosale të një viti më parë. Vjet, turneu u shty me 4 muaj dhe u zhvillua në fund të shtatorit.

Gjithsesi, shtyrja e Roland Garros me një javë ndikon në turnetë e fushave me bar që nisin më 7 qershor. Janë 3 të tillë (Shtutgard, Notingam dhe Hertongebosch), që me shumë gjasa do të dëmshpërblehen financiarisht pikërisht nga turneu parizien.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit