Vendi i pestë dhe mungesa e kualifikimit në Champions League kanë shkaktuar “efekt domino” te Milani, që po përgatitet për një verë revolucioni. Pas deklaratës së Rafa Leao për largim pas 7 vitesh, edhe Mike Maignan po mendon seriozisht të ardhmen e tij. Portieri francez, që luajti dhe humbi miqësoren me Bregun e Fildishtë, ka nisur të shqyrtojë tregun përmes agjentëve për të parë klubet që mund ta përballojnë transferimin e tij.
Situata lidhet edhe me largimin e Massimiliano Allegri dhe Igli Tare, me të cilët Maignan kishte krijuar lidhje të forta, si dhe me trajnerin e portierëve Claudio Filippi. Pa Champions League dhe pa këto figura, portieri nuk sheh më një projekt të qartë kuqezi dhe është i shqetësuar për të ardhmen e klubit.
Kontrata e rinovuar deri më 2031, me 5 milionë euro neto, plus 2 milionë bonuse, nuk e ka “blinduar” plotësisht situatën. Chelsea po e ndjek nga afër. Në rrjetet sociale, Maignan shkroi: “Herët a vonë Milani do të ringrihet”, një frazë që është interpretuar si lamtumirë e mundshme.







