Tirana Futsal është shpallur kampione e Shqipërisë për sezonin 2025/2026, pasi triumfoi në finalen e madhe të fazës “Final 4”, duke mposhtur Flamurtari Futsal me rezultatin 3-0 në Pallatin e Sportit “Feti Borova”.
Skuadra kryeqytetase dominoi takimin final dhe siguroi trofeun falë golave të shënuar nga Mertiri në minutën e 2-të, ndërsa Mejzini dhe Kaça vulosën suksesin për bardheblutë.
Faza “Final 4” e Kampionatit Kombëtar të Futsallës u zhvillua sipas formatit play-off me ndeshje teke në fushë asnjëanëse, duke kulmuar me finalen e sotme që përcaktoi edhe skuadrën kampione të vendit.
Në përfundim të ndeshjes, Federata e Futbollit organizoi ceremoninë zyrtare të ndarjes së medaljeve dhe trofeut të kampionit. Medaljet dhe kupën kampione iu dorëzuan ekipit fitues nga specialisti i futbollit amator në FSHF, Rigers Dushku.
Falë këtij suksesi, Tirana Futsal do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e ardhshëm të UEFA Futsal Champions League, kompeticioni më i rëndësishëm europian për klubet e futsallës.







