Alessandro Costacurta, ish-mbrojtësi i Milanit, ka komentuar situatën aktuale te klubi kuqezi dhe pritshmëritë mbi të ardhmen e projektit sportiv. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ai tha: “Jam optimist siç kam lexuar se është edhe miku im Alesandro Nesta. Nevojiten dy ose tre lojtarë që të shtyjnë ekipin përpara, një trajner që të japë linjë të qartë loje dhe drejtim kompetent. Pra, duhet një figurë në strukturën teknike me strategji të përcaktuar”.
Ai shtoi se nuk është çështje emrash të veçantë: “Duhet të zgjedhësh mirë dhe ta duash këtë rrugë. Nuk flas për emra konkretë, por më duket se që nga Rangnick kanë kaluar skuadra që kishin sens dhe organizim. Ndërsa Ibrahimovic, ndryshe nga çfarë mendojnë shumë, nuk më duket se dëshiron një rol kryesor”.
Për Rafael Leão ishte kritik: “Është gabim ta konsiderosh lider, është një lojtar i mirë që ndizet me ndërprerje. Nuk e kam parë kurrë si lojtar për ‘Topin e Artë’, kam luajtur me disa dhe janë krejt tjetër gjë. Nëse largohet, Milani nuk humbet një Kaká apo Shevçenko. Rafa nuk ka qenë kurrë një kampion absolut, por mund të jetë i dobishëm në një kontekst të duhur dhe me rol të përcaktuar”.







