Elozhet e marra nga Stefan Ortega gjatë fitimit të titullit të Manchester City-t thuhet se kanë kontribuar që Ederson të kërkojë një transferim këtë verë.
Portieri brazilian po mendon seriozisht të largohet nga Etihad Stadium. Ai ka kaluar shtatë vjet në Angli, duke fituar 17 trofe, por tani po lidhet me një kalim në Saudi pro League – me Al-Nassr dhe Al-Ittihad të dy të interesuar për lojtarin.
Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, ka bërë pak për të shuar spekulimet, duke thënë kur u pyet për të ardhmen e Edersonit: “Nuk e di. Ai duhet të shohë ndoshta opsione të tjera. Sigurisht, unë do të doja që ai të qëndronte, por tani varet nga klubet. Do të shohim se çfarë do të ndodhë me të”.
City po kërkon rreth 50 milionë sterlina nga shitja e tij. Ederson do të preferonte të qëndronte në Europë, por është i vetëdijshëm se ekipet nga Lindja e Mesme do ta kenë më të lehtë të gjejnë fondet e nevojshme për të bërë një marrëveshje, duke i ofruar gjithashtu një kontratë fitimprurëse.
Sipas The Athletic, 30-vjeçari është duke kërkuar një rrugëdalje nga City. Një pjesë e arsyes për këtë janë lëvdatat që mori Ortega pas një ndeshje me Tottenhamin në maj, ku gjermani bëri një pritje shpëtimtare dhe vendimtare për titullin ndaj kapitenit të Spurs, Heung-min Son.