Një reklamë e një platforme bastesh online, e cila përdor imazhin dhe zërin e Diego Armando Maradonës, të rikrijuara me inteligjencë artificiale, ka shkaktuar debat të madh në Argjentinë gjatë Botërorit 2026. Spoti, i transmetuar vazhdimisht gjatë pushimeve të ndeshjeve, e paraqet ish-kapitenin e Argjentinës me pamjen që kishte në Botërorin e Meksikës 1986, teksa promovon bastet sportive.
Fushata ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale. Shumë përdorues kanë kritikuar gjuhën që i është atribuar legjendës së ndarë nga jeta në vitin 2020, si edhe e kanë konsideruar të papërshtatshme lidhjen e figurës së tij me lojërat e fatit. Rasti ka rihapur gjithashtu debatin mbi kufijtë etikë të përdorimit të inteligjencës artificiale për të riprodhuar zërin dhe pamjen e personave të ndjerë.
Avokati Fernando Burlando konfirmoi se iniciativa është autorizuar nga trashëgimtarët e Maradonës, megjithëse jo të gjithë fëmijët e tij kanë qenë dakord. Sipas mediave lokale, kompania ka paguar rreth 100 mijë dollarë për të siguruar të drejtat e përdorimit të imazhit të ish-yllit argjentinas.







