Deklaratat e Joao Neves për Cristiano Ronaldo kanë ndezur polemika në Portugali, pas debutimit të dobët në Botëror ndaj Kongos. “E dimë çfarë ka bërë Cristiano për ne, por në këtë moment është si ne. Është vetëm një lojtar tjetër që ndodhet këtu për të na ndihmuar. Është si gjithë të tjerët”, – tha Neves, duke shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale. Edhe Bruno Fernandes u kritikua pasi i kishte vendosur “like” kësaj deklarate.
Shumë tifozë të Ronaldos reaguan ashpër, duke sulmuar Neves dhe lojtarë të tjerë, duke i akuzuar se nuk e shfrytëzojnë si duhet CR7 dhe nuk i pasojnë topin. Të tjerë, megjithatë, mbështesin Neves, duke thënë se ndikimi i pesë herë fituesit të “Topit të Artë” është zvogëluar dhe se prania e tij në fushë mund të jetë problem për Portugalinë.
Ndeshja përfundoi 1-1, me gol të Neves, ndërsa Ronaldo u cilësua si i zbehtë në performancë: vetëm 25 prekje topi dhe 3 goditje jashtë kuadratit. Media portugeze e kritikoi ashpër, duke e quajtur paraqitjen “patetike”.
Trajneri Roberto Martínez e mbrojti: “Është absurde të heqësh golashënuesin më të mirë në botë në një ndeshje ku golat janë vendimtarë”. Megjithatë, debati në Portugali vazhdon, me disa që besojnë se ekipi është “peng i besimit te Ronaldo”, ndërsa të tjerë kërkojnë respekt absolut për legjendën portugeze.







