Komiteti Ekzekutiv miraton formatin e ri për Kategorinë e Dytë

24 Qershor 2026
17:34
Telesport
back button

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka miratuar në mbledhjen e fundit ndryshimet në strukturën dhe skemën e zhvillimit të kampionateve të Kategorisë së Dytë dhe Kategorisë së Tretë për sezonet e ardhshme, duke përcaktuar formatin e garës, ngjitjet, rëniet nga kategoria, si edhe sistemin e ndeshjeve play-off dhe play-out.

Kampionati i Kategorisë së Dytë do të zhvillohet në dy grupe, ku Grupi A do të përbëhet nga 12 skuadra, ndërsa Grupi B nga 11 skuadra. Duke marrë në konsideratë faktin që në sezonin 2027/2028 kampionati “Abissnet Superiore” dhe Kategoria e Parë do të kenë nga 12 ekipe secila, është vendosur që katër skuadra të sigurojnë ngjitjen direkte.

Dy skuadrat e para të Grupit A dhe dy skuadrat e para të Grupit B do të ngjiten automatikisht në Kategorinë e Parë.

Skuadrat e tjera që sigurojnë pjesëmarrjen ne Kategorinë e Parë do të përcaktohen përmes ndeshjeve të fazës play-off. Fituesi i fazës play-off të Grupit A do të përballet me skuadrën e renditur në vendin e nëntë të Kategorisë së Parë, ndërsa fituesi i fazës play-off të Grupit B do të luajë ndaj skuadrës së renditur në vendin e dhjetë të Kategorisë së Parë.

Në fazën play-off do të marrin pjesë skuadrat e renditura në vendet 3, 4, 5 dhe 6 të secilit grup.

Sipas skemës së miratuar, skuadra e vendit të tretë do të përballet me atë të vendit të gjashtë, ndërsa skuadra e vendit të katërt me atë të vendit të pestë. Ndeshjet do të zhvillohen me një takim të vetëm në fushën e skuadrës së renditur më mirë në klasifikim.

Për sa i përket ndeshjeve play-out të Kategorisë së Parë, ato do të zhvillohen në fushë asnjanëse të përcaktuar nga FSHF.

Rënia nga Kategoria e Dytë në sezonin 2026/2027

Skuadrat e renditura në vendin e fundit në Grupin A dhe Grupin B do të bien automatikisht në Kategorinë e Tretë.

Ndërkohë, skuadra e renditur në vendin e 11-të në Grupin A dhe ajo e renditur në vendin e 10-të në Grupin B do të zhvillojnë një ndeshje play-out në fushë të përcaktuar nga FSHF. Fituesi do të sigurojë qëndrimin në Kategorinë e Dytë.

Skuadra humbëse e kësaj ndeshjeje do të luajë më pas një takim vendimtar me skuadrën humbëse të finales së vendeve të treta të Kategorisë së Tretë, për të përcaktuar ekipin që do të marrë pjesë në Kategorinë e Dytë sezonin pasardhës.

Kategoria e Dytë, sezoni 2027/2028

Edhe në sezonin 2027/2028 Kategoria e Dytë do të zhvillohet me dy grupe, përkatësisht me 12 skuadra në Grupin A dhe 12 skuadra në Grupin B.

Në këtë sezon, vetëm skuadra fituese e secilit grup do të sigurojë ngjitjen direkte në Kategorinë e Parë.

Skuadrat e renditura në vendet 2, 3, 4 dhe 5 në secilin grup do të marrin pjesë në fazën play-off. Fituesi i play-off-it të Grupit A do të përballet me skuadrën e tretë nga fundi të Kategorisë së Parë, ndërsa fituesi i Grupit B do të luajë ndaj skuadrës së katërt nga fundi e Kategorisë së Parë në ndeshjet play-out.

Rënia nga Kategoria e Dytë në sezonin 2027/2028

Skuadrat e renditura në vendin e fundit në secilin grup do të bien automatikisht në Kategorinë e Tretë.

Ndërsa skuadrat e renditura në vendin e 11-të në të dy grupet do të zhvillojnë një ndeshje play-out me një takim të vetëm. Fituesi do të mbetet në Kategorinë e Dytë, ndërsa humbësi do të luajë një ndeshje shtesë me fituesin e finales së vendeve të dyta të Kategorisë së Tretë për të përcaktuar skuadrën që do të marrë pjesë në Kategorinë e Dytë sezonin pasardhës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit