Mediet italiane kanë raportuar ditën e sotme, se portieri i ri i Milanit, Alessandro Longoni, ka vendosur të largohet nga kuqezinjtë dhe të transferohet te PSG, njësoj siç bëri disa vite më parë Gigio Donnarumma.
Longoni do të largohet nga Milan, pasi është i zhgënjyer nga mënyra se si shkuan gjërat për të në aspektin personal në sezonin e fundit.
I riu thuhet se është i mërzitur nga fakti që kolegu i tij Matteo Pittarella, gjithashtu 18 vjeç, u promovua për t’u stërvitur me ekipin e parë të Milanit në vend të tij, ndërsa ai mbeti të luante dhe të stërvitej me ekipet Primavera dhe Futuro, pavarësisht se ishte pjesë e skuadrës së Italisë U17, që fitoi Kampionatin Evropian më parë këtë vit.
Longoni u zhgënjye gjithashtu nga oferta e pagës që iu propozua ndërsa diskutohej për një zgjatje të kontratës aktuale me Milanin.
Tani, ai është gati të bashkohet me PSG-në dhe sipas Calciomercato, pret të jetë pjesë e ekipit të parë nën drejtimin e Luis Enrique.







