Meksika fitoi 2-0 ndaj Ekuadorit në sfidën e 1/32-ve, duke siguruar biletën për në raundin e 1/16-ve. Ekuadori e mbyll këtu rrugëtimin në këtë Kupë Bote. Meksika shënoi dy herë në pjesën e parë dhe dominoi gjithë takimin.
Në minutat e fundit shtesë, Ekuadori mbeti me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Piero Hincapie, për shkak të të ashtuquajturit “Ligji i Vinicius Junior”. Mbrojtësi ekuadorian pati një përplasje të ashpër me sulmuesin Santiago Gimenez dhe gjatë një momenti vuri dorën në gojë dhe i tha diçka lojtarit meksikan.
Arbitri kryesor i takimit, slloveni, Slavko Vincic, pasi pa pamjet në ekran vendosi të ndëshkojë me karton të kuq Hincapie. Ky rregull i ri ka hyrë për herë të parë në fuqi në këtë Botëror.
Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB), organi që përcakton ligjet e lojës, ra dakord unanimisht në prill për të zbatuar këtë ligj të ri pas incidentit midis Vinicius Junior dhe Ginaluca Prestianni në sfidën mes Benfica dhe Real Madridit në Champions League.
Ky është rasti i dytë i njëjtë i ndodhur këtë Botëror. I pari ishte Miguel Almiron, i cili i ndëshkua me karton të kuq në përballjen në grupe mes Paraguajit dhe Turqisë.







