Mediat “masakrojnë” Brazilin pas eliminimit nga Kupa e Botës: “Ancelotti vdiq i përqafuar me Neymarin”

6 Korrik 2026
8:20
Alfred Lleshi
back button

Eliminimi i Brazilit nga Norvegjia është përjetuar si një katastrofë e vërtetë në vendin amerikano-jugor. Me këtë humbje, “Seleçao” regjistron periudhën më të gjatë në historinë e saj pa fituar një Kupë Bote që nga triumfi i parë. Ky ishte fundi i rrugëtimit për një brez futbollistësh brazilianë, mes të cilëve spikat Neymar. Numri “10” u shfaq tepër i prekur dhe u pa duke qarë pa ngushëllim në fushë. Në anën tjetër ishte Norvegjia, e cila, e udhëhequr nga Erling Haaland, arriti një sukses historik. Kjo disfatë ka goditur një nga vendet më pasionante të futbollit në botë dhe reagimet e mediave braziliane nuk kanë munguar.

“Globoesporte” është përqendruar te figura e Erling Haaland. Nga titulli “Haaland dominon, Brazili bie ndaj Norvegjisë dhe përjeton periudhën më të gjatë pa fituar Kupën e Botës”, deri te “Haaland dominon Brazilin”. Gjithashtu, media ia atribuon humbjen edhe paraqitjes së lojtarëve brazilianë. “Lehtësia e tepërt dhe pasaktësia vulosën eliminimin e Brazilit”, – shkruan Rodrigo Coutinho.

Nga ana tjetër, “ESPN Brasil” e ka titulluar kronikën e saj duke iu referuar “cyborgut” norvegjez. “Brazili shtypet nga i pashmangshmi Haaland dhe i jep lamtumirën Kupës së Botës me humbjen e gjashtë radhazi ndaj skuadrave europiane”. Gjithashtu, media flet edhe për Botërorin e fundit të numrit “10”: “Neymar qan shumë dhe përjeton ‘vallëzimin e fundit’ të hidhur në Kupën e Botës, me vetëm 55 minuta të luajtura dhe një gol të shënuar në prekjen e fundit”.

Kolumnisti Paulo Cobos ishte edhe më i ashpër për humbjen. Ai shkroi se “humbja ndaj norvegjezëve është një tjetër kapitull i trishtë në një panoramë futbollistike që po shuhet ngadalë, ashtu si edhe futbolli brazilian”, duke shtuar se “dështimi i Brazilit në Kupën e Botës 2026 nuk duhet të habisë absolutisht askënd”.

Ai e cilësoi grumbullimin e Neymarit si të çuditshëm dhe paraqitjen e Carlo Ancelottit si katastrofike.

Edhe “UOL” ka kritikuar mënyrën se si trajneri italian e menaxhoi ndeshjen. Gazetari Arnaldo Ribeiro ishte shumë i ashpër: “Ancelotti ishte shumë keq në një ndeshje vendimtare”. Ai kritikoi edhe planin e lojës: “Me zëvendësimin e fundit, kur hoqi anësorët për të futur Endrick dhe Neymar, duke iu përgjigjur kërkesës së publikut, e shkatërroi ekipin. Nuk ishte Neymar, ai që vdiq i përqafuar me Ancelottin, por Ancelotti, ai që vdiq i përqafuar me Neymarin”.

Gjithashtu, gazetarët Pedro Lopes dhe Thiago Arantes firmosën një tjetër artikull për Carlo Ancelottin: “Paraqitja më e dobët e Brazilit në një Kupë Bote që nga viti 1990 është gjithashtu performanca më e dobët në karrierën e Carlo Ancelottit me një ekip të nivelit më të lartë”.

Edhe Mauro Cezar Pereira vuri në pikëpyetje planin e lojës së trajnerit dhe aktivizimin e lojtarit të Santosit. “Carlo Ancelotti bëri zëvendësimet që në fund e shkatërruan Brazilin, veçanërisht me futjen e Neymarit”.

Në të njëjtin medium, edhe gazetarja Milly Lacombe ishte shumë e ashpër në opinionin e saj. “Brazili i vogël, frikacak, i dominuar, qesharak, i turpshëm”, – ishte titulli i shkrimit të saj. Ajo kritikoi edhe rikthimin e lojtarit të Santosit: “Grumbullimi i Neymarit është një skandal”. Gjithashtu, ajo sulmoi edhe këtë brez futbollistësh: “Ky Brazil nuk është Brazili i popullit; është Brazili i pushtetit. Një Brazil absolutisht i neveritshëm dhe individualist”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit