Legjenda e Shqipërisë nis punë te skuadra e Ligue 1 në Francë!

7 Korrik 2026
21:41
Telesport
back button

Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela, do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij si trajner. Sipas asaj qe ka mesuar Telesport, ai ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Lens, ku do të jetë ndihmëstrajneri i parë i Dino Toppmöller.

Kjo është eksperienca e parë e Skelës në futbollin profesionist si pjesë e stafit teknik të një ekipi të nivelit të lartë. Për shumë vite ai ka punuar në akademinë e Eintracht Frankfurt, ku ka drejtuar edhe skuadrën U-19.

Tashmë, nga sezoni i ri, ai do të jetë pjesë e një klubi që synon të konkurrojë në nivelet më të larta të futbollit europian.

Skela dhe Toppmöller njihen prej kohësh, pasi kanë qenë bashkëlojtarë te Eintracht Frankfurt për një sezon. Në vitet e fundit, Toppmöller ka vlerësuar vazhdimisht aftësitë e ish-mesfushorit kuqezi, duke e përfshirë tani në stafin e tij teknik te Lens.

Sezonin e kaluar, Lens fitoi Kupën e Francës dhe rivalizoi me PSG-në për titullin kampion deri në javët e fundit të kampionatit. Në sezonin e ardhshëm, skuadra franceze do të marrë pjesë në fazën e ligës së UEFA Champions League.

Për Ervin Skelën, kjo është një mundësi e rëndësishme për të dëshmuar aftësitë e tij si trajner në një klub me ambicie të mëdha dhe në një nga kampionatet më të forta të Europës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit