Fotot e paqarta dhe të pikselizuara që Michael Olise publikoi në Instagram u bënë “virale”, duke nxitur mbi 100 mijë komente dhe teori të shumta. Shumë besuan se autorja ishte Florence Pernet, një fotografe franceze që, sipas rrjeteve sociale, ishte lënë jashtë Botërorit nga FIFA dhe ishte “hakmarrë” duke fotografuar Olise nga ekrani i televizorit. Por e vërteta ishte krejt ndryshe.
Vetë Pernet mohoi historinë: “Kam parë shumë informacione të rreme. Nuk jam fotografja e Olise. E kam thënë që në fillim, fotografi i tij është Lukas Korschan”. Ajo sqaroi gjithashtu se nuk kishte kërkuar kurrë akreditim për Botërorin.

Autori i vërtetë i fotove është Lukas Korschan, fotograf dhe drejtor kreativ gjerman, i cili shoqëroi Olise gjatë turneut dhe krijoi identitetin vizual të rrjeteve të tij sociale. Ai është frymëzuar nga fotografi legjendar Harry Gruyaert, i cili fotografonte transmetimet sportive nga ekrani i televizorit që në vitin 1972.
Ndërkohë, Pernet kishte realizuar një projekt krejtësisht të pavarur me fotografi të marra nga televizori. Ngjashmëria estetike mes dy projekteve bëri që interneti t’i bashkonte gabimisht, duke krijuar një nga historitë më “virale” dhe më të keqinterpretuara të Kupës së Botës 2026.








