Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Lituani ndaj Kauno Zalgiris, Drita është mundur 2-3 në ndeshjen e kthimit në “Fadil Vokrri”, duke e mbyllur që në raundin e parë rrugëtimin në Champions League.
Drita e drejtuar nga Zekirija Ramadani e nisi me këtë formacion zyrtar: Maloku; Bes. Krasniqi, Bytyçi, Pëllumbi, Ovouka; Limaj, Dabiqaj; Bl. Krasniqi; Balaj, Manaj, Jashari
Miqtë ishin të parët që kaluan në avantazh në “Fadil Vokrri”, ku pas një aksioni të shpejtë ishte Vykintas Slivka, i cili dërgoi topin në rrjetë, në minutën e 9-të.
Kundërpërgjigjja e “Intelektualëve” nuk vonoi. Ata barazuan shifrat në minutën e 20-të, me Igball Jasharin, pas një asisti perfekt të Liridon Balaj.
Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1. Drita e nisi shumë mirë pjesën e dytë, duke gjetur golin e avantazhit në minutën e 53-të. Pas një krosimi nga këndi nga Balaj, ishte Arb Manaj që shtyu topin në rrjetë.
Përmbysja e madhe e lituanezëve erdhi në minutat e fundit. Slivka barazoi fillimisht shifrat 2-2 në minutën e 82-të. Në minutën e fundit shtesë, Amine Benchaib shënon golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë, pas një faulli brenda në zonë.
Sfida mbyllet 2-3 për lituanezët, të cilët përparojnë në raundin e dytë kualifikues në Champions League. Ndërkohë, Drita do të luajë në raundin e dytë kualifikues në Conference League, ku do të përballet me fituesin e çiftit, Floriana (Malta)- Shamrock Rovers (Rep. Irlandës).







