Argjentinë-Angli 1986-2026; historia e një rivaliteti të përjetshëm dhe miti i Maradonës e Messit

15 Korrik 2026
10:30
Alfred Lleshi
back button

Kishte qenë një luftë e vërtetë, jo shaka. Pushtimi i ishujve Malvine nga Argjentina dhe më pas rimarrja e tyre nga Anglia (është i njëjti arkipelag, por me dy emra të ndryshëm) iu kushtoi jetën pothuajse një mijë njerëzve në vitin 1982: 649 nga pala argjentinase, 258 nga ajo britanike, pa llogaritur humbjet materiale; anije, avionë dhe nëndetëse. Gjenerali Leopoldo Galtieri i kishte dërguar ushtarët e tij drejt një beteje të pabarabartë me idenë për të zgjuar shpirtin patriotik të argjentinasve, por mori rezultatin e kundërt; rrëzimin e tij nga pushteti dhe forcimin e mbështetjes së popullit britanik për kryeministren Margaret Thatcher, “Zonjën e Hekurt”.

Lufta e Falklandeve u zhvillua nga prilli deri në qershor të vitit 1982. Ajo plagë, në Argjentinë, nuk është shëruar kurrë. Stadiumi i Mendozës quhet “Estadio Malvinas Argentinas”, i njëjti emër që u është dhënë shumë rrugëve në qytete të ndryshme argjentinase. Pothuajse çdo qytet, i vogël apo i madh, ka një monument për të rënët e asaj lufte. Pas 44 vitesh, gjithçka është ende jashtëzakonisht e gjallë në ndërgjegjen e argjentinasve, e imagjinoni se sa e fortë mund të ishte në vitin 1986, kur dhimbja ishte ende e freskët në zemrat e të gjithëve.

Rivaliteti mes Argjentinës dhe Anglisë ka edhe rrënjë thjesht sportive. Në Kupën e Botës 1966, argjentinasit u ndjenë të grabitur në përballjen çerekfinale ndaj anglezëve, vendit organizator. Atë ditë, gjyqtari gjerman Rudolf Kreitlein përjashtoi kapitenin argjentinas Antonio Rattin në minutën e 35-të të pjesës së parë. Rattin iu deshën disa minuta për të lënë fushën, pasi më parë kishte ofenduar rëndë arbitrin. Për argjentinasit, ajo ndeshje konsiderohet “el robo del siglo”, vjedhja e shekullit. Që nga ajo kohë, rivaliteti Argjentinë-Angli është i dyti vetëm pas atij mes Argjentinës dhe Brazilit.

Mund të jetë një imazh i futboll, futboll dhe teksti

Kulmi i kësaj historie ushqen më shumë se çdo episod tjetër mitin e Diego Armando Maradonës. Rreth asaj ndeshjeje të Kupës së Botës 1986 ka më shumë legjenda sesa në 100 libra për futbollin. E para lidhet me fanellën. Argjentina përdori atë të transfertës; pantallona të zeza dhe fanellë blu të errët (me jakë të bardhë në formë V-je). Thuhet se ato që veshën lojtarët nuk ishin uniformat origjinale (të konsideruara shumë të rënda nga trajneri Carlos Bilardo për klimën e nxehtë të Meksiko Siti), por fanella më të lehta të blera në qytet dhe më pas të qepura me dorë me logo të ndryshme, për t’u ngjarë atyre të prodhuara nga sponsori teknik francez.

E dyta lidhet me Maradonën, ose më saktë me një plan për ta nxjerrë shpejt jashtë loje. Tentoi ta bënte mbrojtësi anglez Fenwick në pjesën e parë, duke i dhënë një goditje të qëllimshme me bërryl kur topi ishte larg, por Diego kishte shumë dëshirë për të vendosur fatin e asaj ndeshjeje dhe u rikthye. Legjenda e tretë (por ka shumë të tjera) lidhet me atë që ndodhi më pas, sepse mesfushori Héctor Enrique prej 40 vitesh mburret me shaka se i dha asistin Maradonës për “golin e shekullit”. Edhe pse në fakt ishte një pasim vetëm dy metra. Gjithçka, absolutisht gjithçka, ndodhi brenda pak minutash.

Akti i parë erdhi në minutën e 6-të të pjesës së dytë, kur rezultati ishte ende 0-0. Një gabim i rëndë i mbrojtësit anglez Steve Hodge: topi u ngrit lart dhe aty u përplasën portieri Peter Shilton dhe Maradona, i cili ishte 20 centimetra më i shkurtër se kundërshtari. Topin e preku Maradona dhe e dërgoi në rrjetë. Sigurisht, me dorë. Maradona nisi menjëherë të festonte, ndërsa shokët e tij qëndruan të palëvizur. Atëherë ai filloi të bërtiste: “Ejani të më përqafoni, përndryshe do ta anulojë”.

Gjyqtari tunizian Ali Bin Nasser, përveçse nuk e pa prekjen me dorë, nuk kuptonte as spanjisht. Perfekt. Në fund erdhi fjalia më e famshme e Diegos: “Ka qenë dora e Zotit”. Gjashtë fjalë që do të lidhen përgjithmonë me legjendën e tij. Katër minuta më pas, Maradona kërkoi në mënyrën e tij falje nga perënditë e futbollit, duke shënuar golin e shekullit. Një aksion prej 11 sekondash, në të cilin dribloi si birila pesë kundërshtarë dhe më pas e dërgoi topin pas shpinës së Shiltonit. Një kryevepër e paharrueshme dhe e pashlyeshme.

Një magji që mori edhe më shumë mistikë nga rrëfimi i Jorge Valdanos vite më vonë: “Kur Maradona mori topin në mesfushë dhe u nis përpara, unë vrapoja pranë tij dhe i bërtisja: jam i lirë, ma paso. Pas golit e pyeta: pse nuk ma dhe topin? Ai m’u përgjigj: Në fakt të pashë, por ndjeva se ku donte të shkonte topi dhe më tha: në portë. Ky ishte Diego”.

Argjentina fitoi 2-1 (me golin e Lineker dhjetë minuta para fundit) dhe më pas fitoi trofeun. Që nga ajo kohë, dy skuadrat janë përballur edhe dy herë të tjera në fazën finale të Kupës së Botës: në 1/8-at e ‘Francë 1998’ (Argjentina fitoi me penallti) dhe në fazën e grupeve të ‘Kore-Japoni’ 2002 (Anglia fitoi 1-0 me gol të Beckham nga pika e bardhë). Bilanci total i 15 përballjeve mes dy kombëtareve është: 4 fitore për Argjentinën (përfshirë atë me penallti), 5 barazime dhe 6 fitore për Anglinë.

Goli “Dora e Zotit”, si e keqtrajtoi Maradona, Anglinë 36 vite më parë  (Video) -

Nëse në shpirtin e anglezëve ende ekziston ideja për të marrë hak ndaj “Dorës së Zotit”, tek argjentinasit, përveç krenarisë së lidhur me Malvinat, ekziston edhe sfida sportive për të barazuar bilancin. Sigurisht, Lionel Messi nuk është Diego Maradona. Ka një përpjekje moderne për t’i vendosur të dy në ‘Olimp’ të historisë, por Diego fitonte Kupën e Botës duke tërhequr pas vetes lojtarë të dorës së dytë në skenën botërore, ndërsa Messi është lideri i një kombëtareje që lë në stol lojtarin më të mirë dhe golashënuesin më të mirë të kampionatit italian.

Atë ditë në ‘Azteca’ u pa fillimisht fytyra më e keqe e Maradonës, dhe menjëherë më pas ajo më e mira. Shokët e tij të skuadrës nuk do t’ia kishin dalë të vetëm. Këtë herë, do të duhet të jetë vetëm ana më e mirë e Messit, sepse të tjerët nuk janë plotësisht të sigurt se mund t’ia dalin vetëm. Në anën tjetër janë Kane dhe Bellingham. Me këtë është thënë gjithçka.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit