Drejt Spanjë–Argjentinë; finalja e paprecedentë që ka hyrë tashmë në histori

16 Korrik 2026
9:52
Alfred Lleshi
back button

Gjëra të papara më parë. Finalja Spanjë–Argjentinë është përmbledhja perfekte e një Kampionati Botëror, të shkruar ndryshe nga gjithë të tjerët. Nuk ishte parë kurrë më parë një finale mes Spanjës dhe Argjentinës, ashtu siç nuk ishte parë kurrë një Botëror me kaq shumë vende pjesëmarrëse dhe, mbi të gjitha, me tri vende organizatore. Nuk ishte parë kurrë një Botëror me kaq shumë yje të futbollit në garë deri në fund: Messi, Kane, Mbappé, duke pritur edhe Yamalin e vërtetë, që ndoshta do të shpërthejë pikërisht në finale.

Po ashtu, nuk ishte parë kurrë një finale mes kampiones së Europës dhe kampiones së Amerikës së Jugut, e cila njëkohësisht është edhe kampionia në fuqi e botës. Një ndeshje që duhej të ishte zhvilluar në mars me emrin “Finalissima”, pra përballja mes kampiones së Europës dhe kampiones së Amerikës së Jugut. Pavarësisht se si do të përfundojë, kjo finale ka hyrë tashmë në histori.

Tani nuk është aspak e lehtë të përcaktosh një favorite. Ndoshta, por me të gjitha rezervat e mundshme, Argjentina ka në favor përvojën më të madhe. Përballë saj qëndron freskia e Spanjës, e cila ka një moshë mesatare dukshëm më të ulët se kundërshtari.

Janë dy skuadra krejtësisht të ndryshme. “Albiceleste” mbështetet te njeriu i saj simbol, Lionel Messi, dhe te shpirti luftarak i të gjithë të tjerëve. “La Roja”, nga ana tjetër, funksionon si një kolektiv i përkryer, ku çdo futbollist, qoftë titullar apo rezervë, e di saktësisht çfarë duhet të bëjë dhe në cilin moment.

Messi do të luajë finalen e tij të tretë si titullar, një rekord historik, pasi i vetmi futbollist që ka marrë pjesë në tri finale Botërori është Cafu, por jo si titullar në të tria. Për Luis de la Fuente kjo është finalja e parë botërore si trajner (ndërsa ka fituar një Kampionat Europian), ndërsa për Lionel Scalonin është finalja e dytë radhazi. Nëse triumfon, ai do të barazojë legjendarin Vittorio Pozzo, trajnerin e vetëm që ka fituar dy Kupa Bote radhazi me Italinë, në vitet 1934 dhe 1938.

Mund të jetë një imazh i foshnjë

Gati një shekull më parë ndodhi ai sukses historik, ndërsa rreth 90 vite më parë u luajt ajo që deri tani ishte e vetmja finale e Botërorit mes dy vendeve ku flitet e njëjta gjuhë: Uruguaji–Argjentinë.

Spanja ka arritur deri në këtë pikë falë forcës së grupit. Golashënuesi më i mirë i saj është Oyarzabal, edhe falë penalltisë së realizuar kundër Francës, por ai nuk është lojtari kyç i skuadrës. Deri tani protagonisti kryesor, ndonëse jo shumë i vlerësuar nga opinioni publik, ka qenë Rodri, organizatori i jashtëzakonshëm që ka bërë të funksionojë në mënyrë perfekte e gjithë skuadra.

Tani është momenti i vërtetë i Yamal. Spanjës i duhet një ndeshje e madhe nga talenti i saj për t’iu kundërvënë vendosmërisë së jashtëzakonshme të argjentinasve. E gjithë bota e pret atë, edhe pse për “Topin e Artë” të këtij sezoni duket se ka një kandidat shumë të fortë, që mund të konsiderohet edhe “babai futbollistik” i Yamal; Lionel Messi.

Për herën e 12-të radhazi, finalja e Kupës së Botës do të ketë në fushë të paktën një futbollist të Interit, në këtë rast sigurisht Lautaro Martinez. Zikaltrit janë klubi i vetëm që mban një seri kaq të gjatë. Deri pak orë më parë në këtë statistikë ishte edhe Bayern Munich, por eliminimi i Harry Kane me Anglinë i nxori bavarezët jashtë kësaj vazhdimësie.

Lautaro, i cili po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm edhe për kombëtaren argjentinase, ashtu si për Interin, pavarësisht se Scaloni (dhe ndoshta Messi) duket se ka një simpati të veçantë për Julian Alvarez, mund të rikthehet edhe një herë në “Appiano Gentile” si kampion bote. Këtë herë, megjithatë, si një protagonist i padiskutueshëm.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit