Për të folur për refuzimin e Guardiolës ndaj Italisë dhe zgjedhjen e Pirlos në stolin axurr, ndërhyri ish-mesfushori kampion bote, Marco Tardelli: “Mendoj se shumë gjëra nuk e bindën Guardiolën. Stoli i një kombëtareje katër herë kampione bote është prestigjioz edhe për një si ai, por duhet të ketë menduar se futbolli italian nuk është në lartësinë e duhur. Jam i lumtur dhe krenar për zgjedhjen e Pirlos, është një djalë jashtëzakonisht i mirë”.
I pyetur për cilësitë e tij, Tardelli u shpreh: “Është një gjeni futbollistik dhe di t’i kuptojë njerëzit. Duhen trajnerë federalë. Duhet durim për të rindërtuar nga e para, por është një rrugëtim që herët a vonë sjell rezultate”.
Rreth faktit nëse Pirlo do të ndihet si zgjedhje e dytë, ai shtoi: “Sikurse është realiteti në të vërtetë. Kushdo do të ishte një plan B, por s’do të thotë se nuk mund të bëjë më mirë se plani A. Duhet forcë për të mos u ndier më inferior, me krenarinë se u zgjodh”.







