E ardhmja e Romelu Lukakut te Napoli duket gjithnjë e më larg. Agjenti i tij, Federico Pastorello, foli për “Sky Sport” dhe la të kuptohet qartë se sulmuesi belg nuk pranon një rol rezervisti pas ardhjes së Hojlund dhe rikthimit të Lucca.
“Lukaku mund të jetë zëvendësues te Napoli? Sigurisht që jo. Romelu është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe e ka treguar këtë. Ai është një nga sulmuesit më të mirë në botë. Vështirë se mund ta pranojmë një situatë të tillë”, – deklaroi Pastorello.
Agjenti përjashtoi edhe mundësinë e uljes ose shpërndarjes së pagës së lojtarit, i cili fiton 6 milionë euro neto në sezon deri në vitin 2027: “Romelu i ka arritur këto nivele falë karrierës së tij. Ndoshta ende nuk ka ardhur koha të pranojë një zgjidhje të tillë. Ai nuk qëndron aty ku nuk e duan”.
Sipas “La Stampa”, në skenë ka hyrë Juventusi. Ende nuk ka negociata konkrete, por ndërmjetësit po punojnë. Pengesat mbeten financiare, pasi duhen të paktën 15 milionë euro, përveç pagës së lartë të sulmuesit belg.







