Liverpool arriti të mposhtë 2-1 Arsenal në miqësoren e luajtur sot, ku të trija golat u shënuan në pjesën e parë. Një prej shënuesve për skuadrën e “reds” ishte sulmuesi egjiptian Mohammed Salah, që duket se është gati për sezonin e ri.
Trajneri i Liverpool, Arne Slot, foli sot për rëndësinë e Mo Salah në ekipin e tij: “Ai ka qenë një model për këtë ekip jo vetëm këtë kohë për për disa sezone. Salah u kthye me të vërtetë në formë, por më kanë thënë se kjo është normale për të”.
“Nëse përdor vetëm Mo si shembull nuk do të jem i drejtë me të tjerët, sepse edhe të tjerët janë të fortë dhe në formë. Një nga gjërat kryesore deri më tani është që të gjithë djemtë janë në formë dhe nuk kemi fare lëndime. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu dhe që nivelet e tyre të fitnesit të rriten”, tha më tej trajneri holandez.
Në fund, Slot tha: “Ne ndjemë sot se sa e vështirë është të luash kundër një ekipi që dëshiron të na shtyjë lart, kështu që ne duhet të jemi vërtet në formë dhe po punojmë për këtë. Po shkojmë në drejtimin e duhur, pasi sezoni do të jetë i gjatë dhe i vështirë”.