Një “mal” me mish dhe ushqime të tjera po aq kalorike për të festuar ditëlindjen e 26-të. Erling Haaland i ka lejuar vetes një banket të vërtetë “me gjak” në bordin e jahtit ku po kalon disa ditë pushime pas Kupës së Botës, ku ishte protagonist me Norvegjinë.
Fushat e stërvitjes, Manchester City dhe Premier League mund të presin. Sulmuesi që i bën mbrojtjet të dridhen, për momentin po shijon shoqërinë e të dashurës së tij, Isabel Haugseng Johansen, dhe të disa miqve të mirë, ndërsa ka zgjedhur një menu që në pamje të parë nuk përmban fjalën “dietë”. Ose ndoshta po, por bëhet fjalë për një dietë jashtëzakonisht personale, në të cilën përfshihen copa gjigante mishi, biftekë tomahawk, sallame, djathëra dhe fruta pylli.
Imazhet e shpërndara nga partnerja e tij u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen nuk ishte luksi i festës, por sasia e madhe e ushqimeve. Dhe kjo nuk është si rasti i rakunit, suvenirit të marrë me vete nga SHBA. Për sulmuesin skandinav, një gjë e tillë nuk është aspak risi. Mishi është një nga ushqimet kryesore të përditshmërisë së tij dhe pjesë integrale e regjimit ushqimor që i lejon të përballojë një fizik shpërthyes.

Dieta mishngrënëse e sulmuesit norvegjez
Në vitet e fundit, Haaland ka treguar shpesh se preferon ushqime të thjeshta dhe sa më pak të përpunuara. Në mesin e tyre, rolin kryesor e ka pikërisht mishi, veçanërisht ai i viçit, i shoqëruar shpesh me patate, perime dhe ushqime të tjera të pasura me proteina.
Ai nuk konsumon thjesht biftekë të zakonshëm, por copa të përzgjedhura nga kafshë të rritura në ambiente bio, të cilat i kombinon edhe me organe të brendshme, sidomos palcë kockore, mëlçi dhe zemër viçi.
Pse pikërisht organet e brendshme të lopëve të therura? Është një zgjedhje e menduar mirë. Ato kanë përqendrim të lartë hekuri, vitamine B12, zinku dhe mikroelementësh të tjerë të rëndësishëm për rikuperimin muskulor të një sportisti.
A konsumon Haaland vetëm mish? Jo. Në menunë e tij përfshihen gjithashtu vezë, shumë peshk (sidomos salmon), oriz, mjaltë i papërpunuar, bukë me maja natyrale dhe qumësht i papërpunuar i blerë direkt në fermë, të cilin ai e ka quajtur “ilaçi im magjik”, për shkak të rëndësisë që i atribuon.

Fotot e ditëlindjes konfirmojnë një zakon të konsoliduar
Në tryezën e shfaqur nga fotot e publikuara në “story” në Instagram, bien në sy porcione shumë të mëdha brinjësh të pjekura në skarë, sallame dhe një përzgjedhje e pasur produktesh proteinike, ndërsa ëmbëlsirat dhe desertet zënë një hapësirë shumë më të vogël. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme apo të tepruar në krahasim me regjimin e tij të përditshëm ushqimor, i cili me kalimin e viteve është bërë pjesë e identitetit të tij.
Nga biftekët gjigantë te qumështi i papërpunuar, deri te darkat me bazë mishi pas ndeshjeve, çdo detaj kontribuon për të mbështetur fizikun e një futbollisti që ka nevoja energjetike shumë më të larta edhe krahasuar me lojtarë të tjerë profesionistë. Aq më tepër në krahasim me një person të zakonshëm.







