Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka thënë se klubi është gati të lëvizë në tregun e transferimeve kur të jetë momenti i duhur për ta bërë këtë gjë. “Djajtë e kuq” kanë nënshkruar me Leny Yoro dhe Joshua Zirkzee deri më tani këtë verë.
Gjithsesi, objektivat e United janë të shumta, ndërkohë që ka edhe spekulime në lidhje me të ardhmen e një numri lojtarësh ende nën kontratë. Disa prej tyre janë Aaron Wan-Bissaka e Scott McTominay, të kërkuar nga skuadrat e tjera të Premier League.
“Kur të kemi lajme të reja nga merkato do ta shpallim. E keni parë se tregu është mjaft i qetë, por ne kemi bërë dy marrëveshje. Ka të bëjë me kohën dhe opsionet e tregut. Në momentin e duhur do të bëjmë gjërat e duhura”, tha Ten Hag.
“Unë nuk hyj në detaje se ku jemi tani me rekrutimin dhe çfarë po punojmë. Sigurisht, ne e dimë se çfarë po bëjmë, ne jemi në një pozicion të mirë me skuadrën aktuale dhe presim me durim”, u shpreh trajneri holandez i Manchester United.
I pyetur nëse klubi tani duhet të shesë disa lojtarë para se të blejnë të tjerë, Ten Hag shtoi: “Jo, ne jemi gati. Ne kemi blerë tashmë dy lojtarë. Ne kemi një skuadër ku në çdo pozicion kemi nga dy lojtarë që dublojnë atë rol”.
“Ne kemi një plan të qartë dhe e dimë se çfarë të bëjmë. Dëmtimet janë pjesë e procesit. Ju nuk mund t’i shmangni ato sepse futbolli ecën intensivisht dhe ato do të ndodhin. Atëherë kemi nevojë për një skuadër që mund ta mbulojë këtë”, tha Ten Hag.