Anësori portugez Pedro Neto prej dy ditësh është një lojtar i ri i Chelsea. Pas një jete në Portugali dhe një aventure të përkohshme te Lazio, kalimi te Wolverhampton ishte një bekim për portugezin.
“Blotë” e Londrës e blenë për një shumë të konsiderueshme prej 60 milionë eurosh plus 3 milionë euro bonuse. Një barrë e madhe për të mbajtur, por lojtari nuk mund të ishte më i lumtur me këtë hap në nivel në moshën 24-vjeçare.
“Jam shumë mirënjohës që i jam bashkuar këtij klubi. Kam punuar shumë në karrierën time për të qenë në gjendje të jem këtu dhe mezi pres të shkoj në fushë me këtë fanellë”, tha Pedro Neto menjëherë pasi nënshkroi një kontratë 7-vjeçare (6+1 opsionale).
Sezonin e kaluar, 24-vjeçari bëri 24 paraqitje në të gjitha turnetë për Wolves, duke shënuar 3 gola dhe duke dhënë 11 asistime. Pavarësisht sezonit të rrënuar nga dëmtimet, Pedro Neto ishte pjesë e ekspeditës së kombëtares në Euro 2024.