Këtij sikur i kanë bërë “magji”; drejt dështimit edhe huazimi i Brojës tek Ipswich Town

24 Gusht 2024
13:35
Alfred Lleshi
back button

Operacioni i huazimit të Armando Brojës tek Ipswich Town rrezikon të shpërbëhet, duke rritur mundësinë që sulmuesi shqiptar të mos largohet nga Chelsea këtë muaj. Kështu bën me dije “The Guardian”.

Ipswich kishte rënë dakord me Chelsea që shqiptari ta kalonte sezonin e ri me ta. Një nga kushtet ishte që skuadra e Kieran McKenna do të nënshkruante me Brojën për 30 milionë stërlina, nëse mbijetonte në Premier League.

Gjithsesi, lëvizja është zvarritur dhe kuptohet se ka një perspektivë serioze që ajo të dështojë për çështjet e dokumenteve, që nuk kanë të bëjnë me Chelsea. Transferimi nuk është plotësisht i dështuar, por Ipswich besohet se po shikon opsione alternative në sulm për trajnerin McKenna.

Broja nuk është pjesë e planeve të Enzo Maresca te Chelsea, i cili është përpjekur të gjejë një blerës për produktin e akademisë. Evertoni ka monitoruar situatën dhe mund të lëvizë për të marrë Brojën, nëse shet Beto ose Neal Maupay.

Chelsea po kërkon të sistemojë një mori lojtarësh përpara limitit të merkatos verore, të së premtes së ardhshme. Broja ka luftuar për të arritur formën e tij më të mirë që nga kthimi nga një dëmtim i rëndë në gju, shtatorin e kaluar. Ai pati pak ndikim në huazim te Fulham, sezonin e kaluar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit