De Rossi: Nuk ishte ndeshje e madhe kundër Juventusit, por një pikënisje e mirë

2 Shtator 2024
7:39
Alfred Lleshi
back button

“Për ne ishte e rëndësishme të luanim një ndeshje konkrete, qëndruam kompaktë. Në këtë periudhë plot presion mbi Romën ishte shumë e rëndësishme të bënim mirë dhe të merrnim pikë”. Kështu e ka komentuar Daniele De Rossi barazimin 0-0 në “Allianz Stadium” ndaj Juventusit.

Për trajnerin e Romës është një rezultat që e lejon “të punojë me më shumë qetësi”: “Nuk ishte një ndeshje e madhe, por pikënisje e mirë. Djemtë bënë paraqitje dinjitoze. Edhe sot e nisëm mirë, pastaj ndoshta forca e kundërshtarit na trembi pak dhe u kthyem mbrapa. Në këto momente duhet ta mbajmë stekën drejt, sepse frika na bën të vuajmë edhe më shumë”.

Më pas trajneri verdhekuq foli për Dovbyk, i cili u shfaq paksa i nënshtruar në ndeshjen ndaj Juventusit: “Ai kontrollohej mirë nga dy mbrojtës të fortë dhe fizikë, punoi shumë dhe luftoi, Thiago Motta e njeh mirë. Jam i sigurt se do të shënojë shumë gola.

Mendoj se kemi afruar lojtarë të talentuar dhe cilësorë. Aktualisht ka skuadra që janë dukshëm më të forta se ne, por nëse vazhdojmë kështu, me transferime kaq pozitive, gjërat do të shkojnë më mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit