Denzel Dumfries është në gjysmë të rrugës. Ai dhe Interi kanë diskutuar rreth rinovimit prej gati një viti, sepse kontrata e tij do të përfundojë. Ka ardhur momenti i së vërtetës, rinovimi nuk mund të shtyhet më. Denzel duhet të vendosë, në “Viale della Liberazione” presin një përgjigje përfundimtare së shpejti, shumë shpejt. Le të themi për një javë, kur anësori i djathtë holandez do të kthehet nga angazhimet me kombëtaren e tij. Dhe nëse pozicioni i lojtarit sot mbetet një enigmë, ende për t’u zgjidhur, ai i Interit është shumë i qartë: rinovimi i propozuar prej 4 milionë euro në vit është i panegociueshëm, merre ose lëre.
Situata – Që kur klubi dhe lojtari filluan negociatat në shtator të vitit të kaluar, oferta në tryezë për Dumfries ka mbetur e njëjtë. Në rast nënshkrimi, holandezi do të fitonte pothuajse dyfishin e pagës së tij aktuale (sot merr 2.5 milionë euro neto për sezon). Paga e re do të ishte në përputhje me atë të Dimarco, lojtari përballë të cilit negociatat për rinovimin ishin hapur pothuajse paralelisht me atë të ish-PSV-së. Pikërisht kur Dimarco arriti një marrëveshje dhjetorin e kaluar, dialogu me Dumfries u ndërpre dhe situata nuk u kristalizua deri në qershor, kur erdhi një hapje nga menaxheri i holandezit. Përfaqësuesit e Interit dhe të Dumfries folën dhe u takuan disa herë, përfshirë edhe gjatë Kampionatit Europian, por “po”-ja totale e lojtarit nuk u pasua nga një shtrëngim duarsh përfundimtar.
Pa klauzolë – Ky shtrëngim duarsh, si edhe nënshkrimi i kontratës së re, ndoshta mund të arrijë pas ndeshjeve të radhës me kombëtaren. E sigurt është se zikaltrit synojnë ta mbyllin një orë e më parë këtë çështje. I tillë ishte rasti me rinovimet e Barella, Lautaro dhe Inzaghi, sigurisht nuk do të jetë ndryshe me Dumfries. Me pak fjalë, nëse ka “tym të bardhë”, do të jetë vetëm me kushtet e Interit. Konfirmimi tjetër, në këtë kuptim, vjen nga tema e klauzolës, e cila nuk do të përfshihet në kontratën e re të holandezit. Presidenti Marotta dhe drejtori Ausilio janë të vendosur edhe në këtë front.