Merkatoja e Manchester United këtë verë ishte e plotë dhe jo pak e bujshme. U transferuan emra në zë, ndërkohë që u investua te lojtarë të rinj në moshë.
Joshua Zirkzee veshi fanellën e “Djajve të kuq” për 42 mln euro, i blerë nga Bologna dhe i kërkuar nga disa klube big në Europë. Surpriza më pas ishte mbrojtësi Leny Yoro, 18-vjeçar, i blerë për 62 milionë euro. Sigurisht, një bast i madh për të ardhmen.
Ten Hag më pas shfaqi “fiksimin” e tij duke blerë ish-lojtarë të Ajax, por që në sezonet e fundit luanin te Bayern: Matthijs de Ligt dhe Noussair Mazroui. Gjithsej, ata u transferuan për 70 mln euro (përfshirë bonuset).
Për të kompletuar 213 milionë eurot e merkatos së Ten Hag, emri i fundit në listë ishte Manuel Ugarte nga PSG, i blerë për 60 mln euro. “I duhen ndoshta disa muaj të kthehet në formë”, tha tekniku holandez për mesfushorin, gjë e pazakontë, por ai dallohet për deklarata të tilla.
A do të mjaftojnë 213 mln euro për të sjellë ndryshimin e madh te Manchester United? Deri tani duket se jo. Në Angli kanë filluar të raportojnë se Ten Hag nuk e ka stolin të sigurt.