Arsenali ka triumfuar 1-0 në udhëtim te Manchester United në kuadër të javës së 37-të në Premier League. Pas 20 minutash lojë, Gunner kaluan në epërsi me golin e Leandro Trossard, që u asistua prej Kai Havertz. Kai Havertz tani ka dhënë aq shumë asistime në Premier League në 36 ndeshje për Arsenalin sa ka bërë në 91 ndeshje për Chelsean (7).
Ben White lëshoi një goditje të fortë në minutën e 29-të, por që topi shkoi ngjitur me shtyllën horizontale. Ishte një lojë e barabartë në 45 minutat e parë, por Djajtë e Kuq nuk arritën të konkretizonin rastet e tyre.
Në pjesën e dytë, Arsenali sërish ishte skuadra që sulmoi, ndërsa Man United po priste gabimin e londinezëve. Rasti i parë serioz i United ishte në minutën e 77-të, kur Alejandro Garnacho ishte brenda zonës mysafire, por nuk ia doli të shënonte.
Gabriel Martionelli (79’) dhe Declan Rice (83’) krijuan gjithashtu shanse të arta shënimi, pasi që të dy ishin në afërsi të portës, mirëpo nuk ia dolën ta fusnin topin në rrjetë.
Mekëtë fitore, Arsenali vazhdon të jetë lider me 86 pikë, një më shumë se Man City që ka një ndeshje më pak, ndërsa Man United është në të tetin me 54 pike. Arsenali në ndeshjen e fundit për këtë sezon do të luajë përballë Evertonit, ndërsa Manchester United takohet me Newcastle.







