Marco Tardelli, ish-mesfushori kampion i botës me kombëtaren italiane në vitin 1982, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, duke u fokusuar në situatën e Davide Frattesit: “Goleadori i kombëtares axurre, çuditërisht është rezervë tek Interi. Duhet t’i besojnë atij edhe tek Interi, ajo që bën në kombëtare është para syve të të gjithëve.
Ai është një nga mesfushorët e paktë që di të jetë në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Pastaj shënon gola shumë të rëndë, ka guxim. Më pëlqen personaliteti i tij, duhet të përmirësohet edhe më në menaxhimin e topit”.
Ndër të tjera, me golin ndaj Izraelit, Frattesi e kaloi Tardellin në renditjen e golashënuesve më të mirë në kombëtaren italiane: “Unë isha më i mirë (qesh)… Le t’i lëmë shakatë mënjanë, pa krahasim me vitet e mia. Vështirë t’i vendosësh sot ata që luajnë në epokën time dhe anasjelltas”.
Gjatë intervistës, Tardelli nxori në pah edhe një tjetër lojtar të ri italian, i cili figuron mirë në sytë e tij: “Unë them Samuele Ricci i Torinos. Më ka mahnitur personaliteti me të cilin doli në fushë kundër Francës, gjithashtu kundër Izraelit. Spalletti i besoi dhe ai u përgjigj menjëherë, pa frikë”.