Mikel Arteta ka vendosur të rinovojë kontratën me Arsenalin. Siç raporton “The Athletic”, trajneri i “Topçinjve” do të nënshkruajë një marrëveshje të re, e cila do të jetë e vlefshme deri në vitin 2027. Zgjerimi është 2 vite më shumë se sa skadonte kontrata aktuale. Prej disa kohësh palët kanë lëvizur, ende mungon njoftimi zyrtar, por gjithçka është vendosur.
Nga muajt e fundit të vitit 2019 e deri më sot, puna e Artetës ka qenë aty për t’u parë nga të gjithë. Arsenali i është afruar disa herë Premier League dhe ka një identitet të mirëpërcaktuar loje, gjë që i ka bërë tani të kualifikohen pa shumë vështirësi në Champions League në 2 vitet e fundit.
Për të dhënë një ide mbi produktin e tij do të mjaftonte të citohej një statistikë: në mars, ai arriti fitoren e 100-të në kampionatin anglez, duke e bërë këtë 10 ndeshje përpara Arsene Wenger dhe vetëm 7 ndeshje pas Sir Alex Ferguson.
Drejtuesit e “Topçinjve” kanë ide të qarta, duan të vazhdojnë të rriten me Artetën dhe nënshkrimet e verës e tregojnë këtë. Mikel Merino dhe Riccardo Calafiori, si dhe Raheem Sterling dhe Neto, u dëshiruan shumë nga trajneri spanjoll, i cili i konsideroi të përshtatshëm për filozofinë e tij. Spanjolli u dëmtua menjëherë, italiani po ingranohet dalëngadalë në skuadrën angleze.