Protagonisti i premierës së “Inter, due stelle sul cuore”, në kinema nga data 19 deri më 25 shtator, Beppe Marotta, presidenti i Interit, komentoi filmin që përjetëson titullin e 20-të të klubit zikaltër: “Ky është një moment veçanërisht prekës për mua. Ta shoh sërish këtë film të bukur është një burim emocionesh të mëdha.
Kjo ditë vulos rrugëtimin e jashtëzakonshëm të ndërmarrë nga i gjithë Interi, duke arritur një ëndërr. Kjo festë bëhet përmes kinemasë, është një bashkim me sportin që krijon diçka të veçantë, që do të mbetet në histori. Filmi përfaqëson një ‘kasafortë’, ku do të ruhen emocionet e përjetuara gjatë sezonit të yllit të dytë.
Ishte emocionuese t’i shihja sërish ato ditë përmes filmit, i falënderoj të gjithë ata që kontribuan në këtë punë. Filmi ka fuqinë të të hyjë në shpirt. Të fitosh është diçka e jashtëzakonshme, nuk fiton rastësisht në futboll, por sepse e meriton.
E di mirë se çfarë do të thotë ta arrish këtë rezultat me sakrifica. Emocioni vjen nga kjo, nga ditët e jetuara me tension. Kujtoj pragun e 22 prillit; të gjithë kishin fytyra të shtrënguara. Kjo është diçka prekëse edhe sot.
Jemi këtu për të festuar yllin e dytë, por nuk mund të mos kujtoj krijuesit e sukseseve të kaluara. Nuk mund të harroj titullin e 11-të, të fituar nga Interi i Helenio Herrera, i cili u shkarkua pas pesë ditësh, nuk mund të harroj Steven Zhang si president protagonist. Nuk mund të harroj trajnerët dhe presidentët që kanë kaluar në këtë rrugë.
Faktori i përbashkët është dashuria për Interin, jam i nderuar të festoj këtë moment. Si mund ta harrojmë 22 prillin, por edhe 28 prillin? Qindra, mijëra njerëz në rrugët e Milanos. Futbolli thyen çdo lloj pengese: kulturore, etnike, ekonomike. Pashë familjet që gëzoheshin për triumfin e skuadrës, është diçka që vetëm futbolli dhe vetëm Interi mund ta japë”.