Hiddink bën prognozën e Juventus-PSV: Motta nuk parkon autobusin para portës, si Allegri….

17 Shtator 2024
9:00
Alfred Lleshi
back button

Trajneri holandez Guus Hiddink është intervistuar nga “Tuttosport”. Versioni i ri i Ligës së Kampionëve fillon nesër dhe Juventusi do të përballet me PSV Eindhoven.

Duke bërë prognozën e këtij dueli, Hiddink nënvizoi mes të tjerash: “Unë nuk jam një fallxhor, por hipotezoj se bashkatdhetarët e mi mund të marrin më së shumti një barazim, edhe nëse gjithçka është e mundur në futboll. PSV luan në një mënyrë disi naive në Europë, duke sulmuar”.

Më pas u fokusua edhe te Juventusi në analizën e tij: “Le t’i japim kohë trajnerit Motta për të rregulluar të gjithë mekanizmat. Mua më pëlqen ai si trajner, luan në sulm si ne holandezët, jo si Allegri që parkonte autobusin londinez dykatësh përpara portës”.

Hiddink, gjithashtu dha mendimin e tij për Koopmeiners: “Ai mund të bëjë hapin cilësor te Juventusi, të shndërrohet në element kyç të kombëtares holandeze. Mund të arrijë një nivel shumë të lartë, gjithashtu ka mendjen e duhur për t’u bërë lider në të gjitha aspektet”.

Në fund të fjalës së tij, keqardhja që nuk ka qenë kurrë trajner në Itali: “Sigurisht, kam pak keqardhje. Luis Figo më kontaktoi, sepse më donte Interi. Asokohe kisha nënshkruar tashmë me Turqinë dhe nuk do të shkonte po ta prishja kontratën me kombëtaren e këtij vendi, e cila kishte hyrë në fuqi në verën e vitit 2010”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit