Eduardo Camavinga dhe Antonio Rudiger ishin disa nga lojtarët më aktivë të Real Madridit gjatë një serie festimesh në kryeqytetin spanjoll, ku skuadra e Carlo Ancelottit u “shenjtërua” me rastin e fitimit për herë të 36-të në histori të La Liga-s. Kjo ndodhi fundjavën e kaluar, pas suksesit të radhës kundër Cadiz. Gjermani nuk deshi për asnjë moment që mesfushori francez të hipte në autobusin e hapur, i cili parakaloi mes tifozëve të bardhë në “Cibeles”.
Ishte një ditë për të demonstruar edhe një herë dashurinë që kryeqyteti i Spanjës ndjen për një ekip që përfaqëson vlerat e sportit më mirë se kushdo tjetër. Ishte një paradë masive, që kaloi nga bashkia te “Plaza de Cibeles”, ku qindra, mijëra njerëz prisnin Real Madridin. Ndodhi pikërisht aty që Camavinga të bëhej protagonist.
Mesfushori francez donte t’i afrohej njërit prej gardheve të tifozëve të bardhë, që mezi prisnin të përshëndesnin skuadrën e Carlo Ancelottit. E gjitha kjo për të përfunduar në një nga momentet më unike të gjithë ditës. Eduardo do të përfundonte aksidentalisht duke shkelur disa nga jashtëqitjet e mbetura në rrugë, të bëra nga kuajt e përdorur prej Policisë Kombëtare, si pararojë e autobusit të hapur të “Los Blancos”.
Rudiger nuk e përmbajti dot të qeshurën kur pa shokun e tij të skuadrës në këtë moment kaq qesharak. Madje mes gjithë të qeshurave i kërkoi me shaka bashkëlojtarit francez të mos hipte në autobusin që do t’i tregonte rreth “Cibeles” me titullin e 36-të të La Liga-s, sepse do t’i bënte pis edhe të tjerët.
Eduardo Camavinga dhe Antonio Rudiger, natyrisht, i morën të gjitha me të qeshura, duke demonstruar gjithë atë dashuri që ekziston në prapaskenat e një skuadre që vetë Brahim do ta përcaktonte si familje, disa minuta pasi mundi Granadën.







