Xavi: E kuptoj zemërimin e Lewandowskit, por unë duhet të mendoj për ekipin

14 Maj 2024
9:07
Alfred Lleshi
back button

Xavi Hernandez foli në intervistën “flash” për “Movistar LaLiga”, përpara se të shkonte në konferencën për shtyp. Trajneri katalanas pranoi se ka qenë një vit i vështirë për të tijtë, ndërsa ka sqaruar edhe zëvendësimin e Lewandowskit ndaj Real Sociedad, në minutën e 76-të. Polaku doli dukshëm i mërzitur nga fusha, teksa ndeshja u fitua 2-0 nga blaugrana-t:

“Pas disfatës në Girona, ne rikuperuam vendin e dytë dhe mendoj se bëmë një lojë të mirë. Zëvendësimi i Lewandowskit ishte për çështje taktike, donim të shtypnim përsëri lart, edhe sepse këtë javë kemi tri ndeshje. Na duhej pak më shumë forcë përpara.

Na duheshin pak më shumë këmbë. Ne kemi bërë një përpjekje të madhe, edhe Robert ka bërë një punë shumë të mirë. E kuptoj zemërimin e Lewandowskit, as mua nuk më pëlqeu të zëvendësoja, por si trajner duhet të mendoj për grupin.

E kuptoj futbollistin, edhe unë u inatosa, por në atë moment kuptova që kishim nevojë për presion lart. Gjithmonë mendoj për të mirën e ekipit, nuk ka qasje personale në zëvendësime. Nuk do ta bëj kurrë këtë, vetëm për të mirën e ekipit”.

Disa fjalë edhe për të riun Lamine Yamal, autorin e avantazhit 1-0: “Në vendimmarrje dhe në planin taktik, duke qenë i ri dhe vetëm në vitin e parë te Barcelona, ende duhet të përmirësohet. Sidoqoftë, referuar talentit dhe produktit që ka në fushë, është diferencial. Për moshën 16-vjeçare është vërtet “brutal”. Në një vit është bërë shumë më i fortë, më i shpejtë. Po flasim për një lojtar shumë diferencial”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit