Pavarësisht barazimit të fundit kundër Arsenalit, skuadra e Manchester City ende mbetet në krye të Premier League, me Liverpool-in më afër. Është dikush si Bernardo Silva, mesfushori i “qytetarëve”, ai që nuk i vlerësoi “Topçinjtë” e barrikaduar nga mesfusha e poshtë. “City dëshiron të luajë futboll dhe të fitojë, Arsenali jo”, – tha në fillim ai për mikrofonat e “Sky Sport”.
Pa mëshirë, portugezi shtoi: “Nuk ka asgjë më të vështirë në futboll sesa të luash kundër skuadrave që mbrohen me 10 ose 11 lojtarë, të gjithë pas topit, siç bën Arsenali. Nuk është e lehtë, por ne mund të kishim bërë më mirë dhe duhet të përmirësohemi. Gjithsesi, e përsëris: nëse vetëm një nga dy skuadrat në fushë luan futboll dhe synon të fitojë, është shumë e vështirë”.
Bernardo Silva e ka për të gjithë, teksa vazhdoi të kritikonte edhe arbitrimin e ndeshjes në stadiumin “Etihad”: “Arbitri pati pjesën e tij, duke i lënë ata të bëjnë gjënë e tyre. Çdo sezon kemi takime me arbitrat e Premier League dhe gjithmonë na premtojnë se do të bëjnë gjithçka për t’i shmangur disa lloje situatash, por më pas asgjë nuk ndodh. Të paktën luajtëm për të fituar. Unë jam dikush që më pëlqen të luaj futboll për të fituar”.
Një pasazh dedikuar më pas Rodrit, i cili u dëmtua rëndë kundër Arsenalit: “Shpresoj që Rodri ta fitojë ‘Topin e Artë’, shpresoj shumë. Njerëzit thonë se gara është mes tij dhe Vinicius, do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Vinicius fitoi Ligën e Kampionëve, ndërsa Rodri u bë kampion i Europës. Ata janë dy lojtarë të ndryshëm, por unë do ta preferoja që Rodri të triumfonte”.
Ndërsa për përjashtimin nga lista e 30 kandidatëve për çmimin prestigjioz personal, portugezi shtoi: “A jam merakosur që nuk jam edhe një herë pjesë e përzgjedhjes? Jo, jam i kënaqur me karrierën dhe gjithçka që kam fituar. Triumfuam në Champions League dhe fituam 6 Premier League në 7 vite, nuk mund të ankohem për suksesin që kam pasur”.
Së fundi, një urim për sezonin e “qytetarëve”: “Ne do të dëshironim të fitonim përsëri gjithçka, veçanërisht Ligën e Kampionëve, të cilën e kemi fituar vetëm një herë. Vitin e ardhshëm është Botërori i ri për Klube, që duam ta shtojmë në ‘palmaresin’ e Manchester City. Ka vërtet shumë për të luftuar dhe fituar”.