Një lajm bombastik vjen nga kombëtarja gjermane, edhe pse nuk ka ende konfirmim zyrtar. Mats Hummels, finalisti i ri i Ligës së Kampionëve me Borussia Dortmund, dhe Leon Goretzka, një lojtar i rëndësishëm te Bayern Munich i Thomas Tuchel, nuk do të jenë në “Euro 2024”, kompeticion i cili do të mbahet nga 14 qershori deri më 14 korrik në stadiumet gjermane.
Sipas disa mediave të këtij vendi, as Hummels, 35 vjeç, dhe as Goretzka, 29 vjeç, nuk do të jenë në listën përfundimtare të Julian Nagelsmann. Një listë që do të ketë 26 emra, të cilën DFB (Federata Gjermane e Futbollit) ka vendosur ta zbulojë futbollist pas futbollisti, përmes platformave të ndryshme.
Nico Schlotterbeck dhe Niclas Füllkrug (Dortmund), Jonathan Tah (Bayer Leverkusen), Aleksandar Pavlovic dhe Manuel Neuer (Bayern), Chris Führich (Stuttgart), Robin Koch (Eintracht Frankfurt) dhe Kai Havertz (Arsenal) janë emrat e parë të konfirmuar, edhe pse lajmi kryesor në Gjermani duket se është mungesa e Hummels dhe Goretzka.
I pari, golashënuesi dhe i shpallur MVP në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër PSG, ka rikuperuar nivelin që e bëri të konsiderohet si një nga qendërmbrojtësit më të mirë në botë në vitin 2013, ndërsa ‘8’ i Bayern Munich, i cili tashmë ishte lënë jashtë listës së fundit të Nagelsmann në mars, ka pasur një sezon me luhatje, por duke shënuar 6 gola dhe dhënë 11 asiste.
“Të luaj një Kampionat Evropian në vendin tim është ëndrra ime e madhe”, – tha Goretzka së fundmi. Një ëndërr që, përveç ndonjë kthese të papritur, ka marrë pak kohë për t’u zbehur.