Liverpool arriti një fitore të thellë 5-1 ndaj West Ham në Carabao Cup, një rezultat dhe paraqitje që ka kënaqur trajneri Arne Slot. Ai po përgatit skuadrën për ndeshjen e radhës, atë në Premier League ndaj Wolves.
Slot, i cili bëri nëntë ndryshime për lojën, tha: “Ajo që kemi treguar në javët e fundit është se kemi shumë lojtarë cilësorë. Kjo më bën optimist për të ardhmen, pasi kështu mund të konkurrojmë kudo”.
“Ajo që më ka kënaqur më shumë është se, edhe nëse vijnë shumë lojtarë të rinj, ata nuk hyjnë dhe përpiqen vetëm të kenë një paraqitje të mirë individuale. Ata u përpoqën të punonin shumë për ekipin”, tha Slot.
Më tej, trajneri i “reds” foli për Diogo Jota: “Mendoj se Diogo e meritoi sepse ka luajtur shumë ndeshje të mira për ne dhe ka qenë i rëndësishëm. Jam i kënaqur që ai arriti të shënojë dy gola. Por të gjithë u paraqitën mirë”.